LSDM thotë që institucionet e RMV-së organizuan arratisjen e Ramadanit

Mickoski: Është për t’u analizuar shqetësimi i LSDM-së dhe BDI-së për gjykatësin Pajaziti

LSDM-ja opozitare kërkon nga Qeveria që të shpalosë të vërtetën mbi arratisjen e Blerim Ramadanit, të cilën sipas tyre, po e fshehë Ministria e Brendshme. Deputeti Mitko Trajçuleski në konferencën e sotme për media, ka hedhur akuza të rënda ndaj MPB-së, duke thënë se pas arratisjes së Ramadanit, fshihet një skemë e plotë që organizoi dhe mundësoi këtë arratisje. Ai po ashtu, e akuzoi pushtetin se, ka partizuar dhe uzurpuar vendkalimin kufitar me Kosovën.

Mitko Trajçuleski, deputet i LSDM-së

“A është e vërtetë që më 10 gusht, kur Ramadani ka qenë në arrest shtëpiak, ai në të vërtetë ka qenë në Kosovë? A është e vërtetë se atë ditë, rreth orës 18:40 minuta, Ramadani me veturë, pa u ndalur në kufi, është dërguar në Kosovë dhe në mbrëmje vonë është kthyer në arrest shtëpiak në Maqedoni? Më tej pyesim, a është e vërtetë se më 14 gusht, përkatësisht në ditën e arratisjes së Ramadanit, ai ka lëshuar vendin në të njëjtën mënyrë, me veturë zyrtare të një institucioni shtetëror, të drejtuar nga një person i punësuar në institucione dhe sërish ka kaluar vendkalimin kufitar pa asnjë kontroll?”

Por, kryeministri Hristijan Mickoski, hodhi poshtë këto akuza. Ai tha se, ka pasur edhe raste të tjera tëngjashme në të kaluarën, të disa personave që kanë qenë në paraburgim ekstradimi në bazë të fletarrestit që ka dërguar Serbia dhe të njëjtit, me vendim të Gjykatës Supreme, janë lëshuar në liri. Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Fakti që kemi shqetësim te LSDM-ja dhe BDI-ja pse, gjykatësi partiak Pajazit Pajaziti është i përfshirë në këtë rast dhe përpiqen tani të bëjnë intriga apo do të thosha krahasime të çuditshme në formë pyetjeje, është me të vërtetë për analizim. Por, absolutisht, nëse kanë dëshmi, nëse e dinë se është ashtu, pse në formë pyetjeje, le të dalin me pohim dhe të shohim se si do të përfundojë ajo”.

Ish pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani u arrestua më 17 korrik nga policia e Maqedonisë së Veriu, bazuar në një fletëarrest të lëshuar nga Interpoli i Serbisë. Nga data 1 gusht, Ramadani ishte lëshuar në arrest shtëpiak. Vendimin për të kaluar nga paraburgimi në arrest shtëpiak, derisa të merrej një vendim për ekstradimin ose jo ekstradimin e tij në Serbi, e kishte sjellë gjykatësi Pajazit Pajaziti.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share