LSDM: Qeveria të pranojë propozimin tonë për pagë minimale 450 euro

“LSDM i bën thirrje kryeministrit Mickoski dhe Qeverisë që të tregojnë përkushtim real për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe urgjentisht ta pranojnë propozimin për ngritjen e pagës minimale në 450 euro. Kjo masë do të sjellë mbështetje të konsiderueshme për punëtorët dhe do të sigurojë stabilitet social për mijëra familje që e kanë gjithnjë e më të vështirë të mbulojnë kostot bazë të jetesës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga LSDM.

Nga LSDM thonë se Qeveria deri më tani nuk ka arritur të marrë masa konkrete për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Të ardhurat e ulëta të një numri të madh qytetarësh, çmimet e larta të produkteve bazë dhe rritja drastike e inflacionit rëndojnë jetën e përditshme të kategorive më të rrezikuara. Sipas të dhënave, shporta sindikale e muajit tetor tregon se një familje katër anëtarëshe i nevojiten 61.249 denarë për të mbuluar shpenzimet bazë mujore. Rënia e pagës mesatare për 1000 denarë, pasi Mickoski u bë kryeministër, e përkeqëson edhe më shumë situatën dhe i lë qytetarët gjithnjë e më pak me mjete për të mbuluar nevojat elementare.

“Kryeministri Mickoski shpesh herë flet për përkrahje të qytetarëve dhe reforma ekonomike, por gjendja aktuale në terren tregon se mungojnë masat reale. Duke refuzuar rritjen e pagës minimale, Qeveria tregon mosinteresim për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, veçanërisht kategorive më të cenueshme, të cilat i ndjejnë më së shumti goditjet ekonomike. Në vend të masave konkrete, qytetarët marrin vetëm premtime të paqarta dhe “të presin një të nesërme më të mirë”, deklarojnë nga LSDM.

LSDM thekson se paga minimale prej 450 euro nuk është vetëm kërkesë politike, por nevojë reale për të siguruar stabilitet financiar të qytetarëve dhe përparim social të shoqërisë.

Sipas tyre, kjo rritje do të mundësojë fuqi më të madhe blerëse të qytetarëve, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në tregun e brendshëm dhe do të sjellë një efekt pozitiv në ekonomi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share