LSDM: Pagat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten edhe gjatë 2024

VMRO-DPMNE: PËR QYTETARËT 1000 DENARË, PËR FUNKSIONARËT 400 EURO

Rritja e pagave dhe pensioneve përplas partitë maqedonase. Në kumtesë për mediat nga LSDM thonë se masat e Qeverisë së udhëhequr nga kjo parti po japin rezultat në rritjen e pagave dhe pensioneve, rritje e cila do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, përcjell KlanM. Sipas LSDM-së, në Buxhetin e vitit 2024 tashmë janë parashikuar 160 milionë euro shtesë për paga më të larta dhe 170 milionë euro shtesë për pensione më të larta.

“Me LSDM-në, pagat dhe pensionet janë vazhdimisht në rritje, në të gjithë sektorët. LSDM-ja e ngriti pagën mesatare në 39.000 denarë ose 630 euro. Në kohën e VMRO-DPMNE-së, paga mesatare ishte rreth 22.000 denarë. Paga mesatare është 300 euro më e lartë sot krahasuar me vitin 2016. LSDM në 6 vitet e kaluara e ka rritur pagën minimale katër herë dhe tani është 20.175 denarë. Për vetëm pak vite dhe në krahasim me DPMNE-në, LSDM e rriti pagën minimale për mbi 100%”, thonë nga LSDM.

LSDM thekson se nga muaji mars do të ketë rritje të re të pagës minimale në 22.500 denarë. Por nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e akuzojnë se LSDM dhe BDI për shtatë vite e kanë lënë vendin pas të gjitha vendeve të rajonit.

“Hipokrizia e LSD-së shihet në faktin se ajo mburret me ngritje prej 1000 denarë për punëtorët, dhe hesht për rritjen e pagave prej 400 euro për zyrtarët, e cila është një shtesë e rritjes së mëparshme prej 78%. LSD dhe Kovaçevski premtuan grupe punuese, por me siguri nevojat jetësore të njerëzve janë më pak të vlefshme se ato të zyrtarëve. Në 7 vitet e pushtetit të LSD-së, Maqedonia ka mbetur prapa të gjitha vendeve në rajon”, tha Naum Stoillkovski.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski tha se nga viti 2017 deri në vitin 2023, rritja e BPV-së për kokë banori në Maqedoni është vetëm 20%, ndërsa në të gjitha vendet e tjera të rajonit është 50%, e në disa vende edhe mbi këtë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share