Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev janë të vetmit kundër interesave strategjike të shtetit dhe kundër rrugës evropiane të vendit – vlerësojnë nga LSDM e kryeministrit Kovaçevski, përcjell KlanM.
Sipas kësaj partie, VMRO-DPMNE dhe Levica janë kundër anëtarësimit në BE, e një konfirmim tjetër për këtë, sipas tyre, është fakti se nuk deleguan përfaqësues në grupet punuese për ndryshimet kushtetuese.
“Nuk ka dallim mes Mickoskit dhe Apasiev. Ata janë kundër çdo vendimi të rëndësishëm strategjik dhe shtetëror. Të dy nuk e mbështetën as fillimin e negociatave me BE-në. Mickoski dhe VMRO-DPMNE përhapën histeri, organizuan protesta që u bënë të dhunshme. Mickoski dhe Apasiev së bashku e gënjyen popullin për gjoja rrezikimin e gjuhës maqedonase, e trembën me asimilim dhe bullgarizim. Gënjeshtrat e tyre u fundosën, negociatat me BE-në filluan me gjuhën dhe identitetin maqedonas të mbrojtur dhe të njohur, madje nuk e përkrahën as Marrëveshjen me Frontex, si Marrëveshja e parë me BE-në e nënshkruar në gjuhën maqedonase pa shtesa dhe fusnota, e njohur nga të gjitha vendet anëtare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga pushtetarja LSDM, akuzojnë se Mickoski dhe Apasiev po përpiqen me çdo kusht të rrezikojnë rrugën evropiane të vendit, duke i ofruar popullit, sipas tyre, izolim e ndarje.
“Destruktivitetet e VMRO-DPMNE-së dhe Levicës do të mposhten sërish dhe shteti do të vazhdojë rrugën e tij evropiane”, thuhet më tej në reagim.
LSDM zotohet se së bashku me popullin nuk do të lejojnë që shteti të ngecë e as të kthehet prapa./KlanMacedonia