ZGJEDHJET PRESEDINCIALE
Stevo Pendarovski është profili i Presidentit që i duhet vendit dhe profili i presidentit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut. Kështu ka vendosur Këshilli Ekzekutiv i LSDM-së në seancën me përbërje të zgjeruar në Shtip, ku është debatuar për kandidatët e mundshëm për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit.
“Sipas të gjitha analizave dhe anketave të zbatuara, Këshilli Ekzekutiv në përbërje të zgjeruar mbështet Stevo Pendarovskin për kandidat të President të vendit dhe ia ka propozuar Këshillit Qendror të partisë. Pendarovski është përfaqësues i të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike dhe fetare” – thonë nga LSDM-ja.
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja. Sipas tyre, Pendarovski ka shkelë fjalën dhe integritetin, pasi kishte deklaruar se nuk do të kandidohej për president të vendit.
“Ose ky është rasti kur fenomeni Stevo përgënjeshtron Pendarovskin, ose dikush me forcë e detyron të kandidohet për shkak se në LSDM askush nuk dëshiron t`i hyjë garës për t`i humbur zgjedhjet. Gjatë gjithë mandatit Pendarovski shkeli dinjitetin e popullit dhe shtetit” – thonë nga VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE në mungesë të ideve dhe ofertave për qytetarët, vazhdon të shërbehet me zhargonin e rrugës, në përpjekje për ta diskredituar Presidentin Pendarovski dhe integritetin e tij – reagojnë nga Kabineti Presidencial.
“Me këtë komunikim politik, VMRO-DPMNE nuk do të arrijë asgjë. Qytetarët e dijnë kush është presidenti Pendarovski, gjithmonë transparent dhe në mesin e qytetarëve. Nëse janë opsion serioz politik që kanë ofertë për qytetarët u rekomandojmë të fokusohen në të, se sa në politikbërjen me joqytetari” – thonë nga Kabineti i Presidentit.
Lideri socialdemokrat, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se më 3 mars të dielën, do të caktohet seanca e Këshillit Qendror dhe Kongresi ku zyrtarisht Pendarovski duhet të promovohet si kandidat I LSDM-së. /tvklan.mk/