LSDM: 800 milionë euro investime kapitale në buxhetin e vitit 2023

LSDM ka njoftuar se investimet kapitale në Buxhetin për vitin 2023 janë parashikuar në 800 milionë euro. Siç njoftuan nga LSDM buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvilluar, prandaj parashihen 52,3 për qind më shumë investime kapitale në krahasim me këtë vit.

“Investimet kapitale synojnë projekte infrastrukturore për lidhje brenda vendit, me rajonin dhe me Evropën dhe do të sigurojnë rritje dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik në përgjithësi, por edhe kushte më të mira për zhvillimin e kompanive dhe biznesit”, njoftoi LSDM.

Nga atje shtuan se është duke vazhduar ndërtimi i korridorit 8 hekurudhor, ndërtimi i seksioneve kryesore të autostradës, rehabilitimi i rrugëve lokale dhe ndërtimi i banesave sociale.

“Vazhdon gazifikimi i vendit dhe javën e kaluar përfundoi plotësisht gazsjellësi nga hyrja e interkonjektorit nga Bullgaria në Manastir. Investimet kapitale në bujqësi vazhdojnë të sigurojnë, para së gjithash, rritjen e prodhimit vendas të ushqimit, mbështetjen për fermerët si dhe mbështetjen për modernizimin e bujqësisë. Buxheti parashikon vazhdimin e zbatimit të ciklit intensiv të investimeve në sektorin e energjisë, i cili duhet të sigurojë një rritje të potencialit total energjetik”, thonë nga LSDM.

Ata gjithashtu shtuan se prioritet kryesor në buxhetin e vitit 2023 është edhe mbrojtja e mjedisit, me ndërtimin e impianteve të trajtimit, rrjeteve të ujërave të zeza, si dhe ngritjen e një sistemi rajonal për menaxhimin e mbetjeve dhe mbylljen e landfilleve në rajonet lindore dhe verilindore.

“Parashikohen edhe investime kapitale në shëndetësi për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shëndetësore publike si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, për arsimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin, për rikonstruksionin e konvikteve studentore, pajisjen dhe rikonstruksionin e universiteteve. Në kohë krize, investimet kapitale do të sigurojnë një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese. Me menaxhim dhe realizim të përgjegjshëm, këto investime kapitale do të sigurojnë një kalim më të lehtë drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë, duke arritur zhvillimin ekonomik më të lartë të mundshëm”, thanë në fund nga LSDM.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share