Surpriza e “Love Island Albania” është edhe skena ku do të zhvillohen netët e prime-it. Edhe pse në patentë nuk ka diçka të tillë, përmes televizionit Klan publiku do të përjetojë emocione të bukura duke e shijuar spektaklin si një miks mes skenës e vilës në jug.
Për “Jo Vetëm Modë” regjisorja Edlira Baholli tregoi se veç moderatores Luana Vjollca, në skenë do të ketë dhe personazhe të tjerë, fjala e të cilëve duket se ka një peshë të madhe.
“Patenta nuk e ka një prime, këtë mënyrë e ka gjetur televizioni Klan për t’i dhënë një lloj potence tjetër, skena jep ato dritat e veta dhe ne tërheqim më shumë ëvmendje. Jam munduar që të fus disa elementë regjisorialë që nuk janë bërë herë tjetër. Do jenë dy opinionistë për të cilët kam qenë shumë pro, besoj se janë të duhurit”, u shpreh Baholli.
Ende nuk dihet se kush do të jenë opinionistët, por Olti Curri e Dalina Buzi duket se kanë konfirmuar në rrjetet e tyre sociale se mund të bëhet fjalë për ta. Kjo mbrëmje e së Shtunës do jetë plot surpriza!
Regjisorja theksoi po ashtu se vila dy katëshe survejohet nga plot 80 kamera.
Teksa pak orë na ndajnë nga premiera, Baholli u shpreh mjaft optimiste për spektaklin.
“Pas suksesit të prime-it të parë, jam e bindur që do jemi shumë mirë edhe kësaj radhe”, përfundoi ajo./tvklan.al