Ka shkuar në 24 numri i viktimave nga zjarret katastrofike që shkatërruan një pjesë të madhe të Los Angeles, ndërsa 16 persona të tjerë ende rezultojnë të zhdukur. Parashikuesit e motit në Kaliforni kanë paralajmëruar se erërat e forta pritet të intesifikohen edhe më shumë këtë javë duke nxitur më shumë zjarret dhe evakuuime.
Ndërkaq ekipet po garojnë me kohën për të vendosur nën kontroll tre vatra të tjera të cilat janë aktive. Zjarrfikësit lokalë po ndihmohen nga ekuipazhet nga 8 shtete të tjera, si dhe nga Kanadaja dhe Meksika. Zjarri më i madh Palisades, ka djegur më shumë se 23,000 hektarë dhe është 13% i kontrolluar, Eaton është i dyti më i madh dhe ka djegur më shumë se 14,000 hektarë dhe deri më tani është vënë nën kontroll deri në masën 27%, ndërsa zjarri i Hurst ka djegur 800 hektarë dhe është frenuar pothuajse plotësisht.
Flakët i kanë kthyer lagje të tëra në gërmadha, duke rrafshuar shtëpitë e njerëzve dhe duke lënë një peisazh apokaliptik. Zyrtarët kanë konfirmuar se 12,300 struktura janë shkatërruar. Zyrtarët kanë shpallur një emergjencë të shëndetit publik për shkak të tymit të dendur toksik. Përtej atyre që humbën shtëpitë e tyre, dhjetëra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom ka bërë të ditur se këto zjarre mund të jenë fatkeqësia natyrore më shkatërruese në historinë e SHBA, që ka detyruar mijëra njerëz të evakuohen. Sipas vlerësimeve paraprake humbjet financiare nga flakët përllogariten nga 250 deri në 275 miliardë dollarë.
/tvklan.al