Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sot realizoi takim me Prokurorin Publik Shtetëror, Ljubomir Joveski, përcjell KlanM.
Në takim, siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, u bisedua për rrjedhën e procedurave të udhëhequra nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë.
“Me Prokurorin Publik të Shtetit, Joveski, u diskutuan edhe çështje të tjera, si nevoja për emërimin e prokurorit ndërlidhës në Eurojust (Njësia për Bashkëpunim Gjyqësor të BE-së), sjellja e Udhëzimit për zbatimin e Kodit për Prokurorinë Publike, Strategjinë për Zhvillim të Sistemit Gjyqësor 2023-2027, shpërndarjen elektronike të lëndëve në prokuroritë publike dhe tema të tjera”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin e spitalit modular në Tetovë, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, gjatë ditës së nesërme do të takohet edhe me kreun e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi./KlanMacedonia