“PËR KËRKESAT E AUTORITETEVE TURKE VEPROJMË DHE PËRGJIGJEMI”
Për momentin nga Ministria e Drejtësisë nuk kanë detaje të reja rreth zhvillimit të procesit të ekstradimit për të dyshuarin e parë për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevskin, tha Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Paraprakisht, siç përcjell KlanM, nga kjo Ministri kishin deklaruar se do të duhen muaj për ekstradimin e tij, për shkak se ai mund të ankohet gjatë procedurës.
“Deri tani, përvec asaj që është publikuar nga ana jonë nuk kemi asgjë tjetër. Kur të kemi me kohë do të njoftoheni. Do të thotë s`ka asgjë”, tha Krenar Lloga.
Autoritetet e Turqisë kanë kërkuar dokumentacione plotësuese pas kërkesës për ekstradimin e Palevskit. Nga Ministria e Drejtësisë, sic percjell KlanM, njoftojnë se ndaj kërkesave ka patur reagime të menjëhershme.
“Për të gjitha kërkesat veprojmë dhe përgjigjemi. Procesi vazhdon dhe gjithcka është ashtu sic duhet të jetë”, tha Lloga.
Palevski u arratis nga vendi më 30 nëntor dhe përmes Serbisë dhe Bullgarisë u largua për në Turqi ku u arrestua nga autoritetet e atjeshme në qytetin Balikesir. Periudha maksimale e Palevskit në paraburgim është një vit.
Ndërkohë, sic percjell KlanM, Raporti i mjekësisë ligjore për vrasjen e Vanjës ende nuk është dorëzuar në Prokurori. Raporti paraqet një ndër dëshmitë kyçe në hetimet dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Vanja u gjet e vdekur më 3 dhjetor, por edhe më tej mbetet e hapur cështja se përse është vrarë kaq shpejt, dy orë e gjysmë pas rëmbimit më 27 nëntor në orët e mëngjesit.
Prokuroria Publike është në fazën e grumbullimit të të gjitha dëshmive që lidhen me rastin./KlanMacedonia