Lista Serbe: Shpallja e dy organizatave si terroriste synon përshkallëzimin e situatës në veri

Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, kritikoi të premtën vendimin e qeverisë në Prishtinë për shpalljen e dy entiteve serbe si organizata terroriste, veprim që sipas tyre ka për qëllim përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.

Lista Serbe tha se këto organizata janë joekzistente duke theksuar se “Brigada e Veriut” është një organizatë virtuale që ekziston siç u tha vetëm në kokën e kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq “Mbrojtja Civile” ka shumë vite që është integruar në institucionet e Kosovës.

“Me synim të parandalojmë regjimin e Kurtit të bëjë provokime të reja dhe t’i akuzojë serbët apo ndonjë organizatë të re virtuale për to, duke i dhënë vetes arsyetim për përndjekjen dhe frikësimin e serbëve, kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i që urgjentisht të vendosin forcat e tyre në të gjitha pikat në veri”, thuhet në reagim.

Shuarja e strukturave të tilla dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ishte paraparë me një marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por autoritetet në Kosovë thonë se ato kanë vazhduar të funksionojnë pavarësisht marrëveshjes.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla tha të enjten se autoritetet kanë informacione të sakta se pjesëtarë të këtyre dy organizatave kanë kryer akte të shumta terroriste në veri.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha të enjten Zërit të Amerikës se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për këtë vendim, duke shtuar se për një hap të tillë qeveria do të duhej të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës.

Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa po punohet me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale.

E pyetur nga gazetarët, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk komentoi rreth mungesës së bashkërendimit me Shtetet e Bashkuara për vendimin e së enjtes, por theksoi se vendimi ka bazë ligjore.

“Baza ligjore është aty dhe ne mendojmë që asnjë organizatë terroriste e çfarëdo lloj prejardhjeje etnike, apo ç farëdo lloj përbërjeje kriminale të jetë, nuk duhet të lejojë të veprojë në Republikën e Kosovës. ne jemi zotuar për sundim të ligjit në cdo cep të vendit, dhe aty organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës nuk kanë vend”, tha ajo.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të shpallur dy entitete serbe në veri, si organizata terroriste u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë. Protestat u përshkuan me dhunë me 29 maj, e cila la pas vetes dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it të lënduar.

Në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit thuhet se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papranushme dhe e dënojnë dhunën kundër trupave të KFOR-it, si dhe kërkojnë nxjerrjen para përgjegjësisë, në bazë të një procesi të drejtë ligjor dhe transparent të autorëve të dhunës./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share