Trajneri Sylvinho do të prezantojë listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen e parë zyrtare të kualifikueseve për kampionatin europian ndaj Polonisë, sfidë kjo që do të luhet në Varshavë në datën 27 mars.
Anis Mehmeti dhe Jasir Asanin janë dy lojtarët që do të veshin për herë të parë fanellën kuqezi. Futbollisti i Bristol City ka bërë mjaft mirë në javët e fundit, duke tërhequr dhe vëmendjen e brazilianit i cili i ka dërguar për herë të parë ftesë për skuadrën e parë. Mehmeti numëron vetëm 2 ndeshje me skuadrën e 21-vjeçarëve në shtator të 2021.
Jasir Asani është surpriza e Sylvinhos.
Sulmuesi i cili luan në Korenë e Jugut me Gwangiu, ka vendosur të lërë përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ku është aktivizuar me 21 dhe 19-vjeçarët, për të qenë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
Nga kampionati shqiptar, do të jetë pjesë e skuadrës Andi Hadroj. Futbollisti i Partizani ka bërë një sezion mjaft të mirë, duke arritur që të marrë një ftesë për ndeshjen e parë zyrtare. Hadroj u ftua dhe nga Edoardo Reja në ndeshjet miqësore me Katarin, Arabinë Saudite dhe Armeninë.
Në mungesë të Berat Gjimshitit të dëmtuar, Sylvinho ka ftuar Jon Mersinajn, 24-vjeçari ka luajtur këtë edicion në 19 ndeshje, me Lokomotivën e Zagrebit.
Lista do të ketë shumë ndryshime, teksa do të mungojnë dhe disa prej lojtarëve që në ndeshjet e fundit kanë qenë pjesë e formacionit. Odise Roshi dhe Bekim Balaj nuk do të jenë pjesë e grumbullimit, ndërsa nuk janë ftuar as Ernest Muçi dhe Xhuljano Skuka.
Sa i takon të ashtu-quajturës “Garda e Vjetër” në listë do të jenë Amir Abrashi dhe Sokol Cikalleshi.
Trajneri do të dalë të shtunën në konferencën për shtyp, ndërsa duke nisur që të dielën do të nisë grumbullimi në hotelin ” MAK Hotel”, ndërsa senacat stërvitore do të bëhen në “Shtëpinë e Futbollit”.