Lirimi i infermiereve, reagon avokati i të dhunuarës: Besimi në drejtësi është shuar

Avokati Meshari Selimaj i familjes së të moshuarës që u dhunua brenda qendrës Orenda në Pejë, ka reaguar për tvklan.al pas vendimit për lirimin nga paraburgimi të 3 infermiereve të akuzuara.

Për tvklan.al, avokati i familjes ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shuar besimin për drejtësi.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtejshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, shprehet avokati Meshari Selimaj për tvklan.al.

Gjykata Supemre e Kosovës liroi nga paraburgimi 3 infermieret që dhunuan të moshuarën brenda azilit të qendrës Orenda në Pejë të Kosovës.

Ato u arrestuan në fillim të Nëntorit dhe u lanë në paraburgim për 1 muaj, por Gjykata Supreme i liroi sot duke pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë. /tvklan.al

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share