Në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha ka folur për lirimin e 3 policëve të Kosovës nga gjykata e Kralevës.
Ai shprehu mirënjohje ndaj qeverisë amerikane, Bashkimit Evropian, NATO-s si dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban që sipas tij bënë të mundur lirimin e 3 efektivëve.
“3 anëtarët e policisë së Kosovës me një vendim politik të urdhëruar, gjykata i liroi ata. Me këtë rast dua të falenderoj shumë qeverinë e SHBA-ve, BE, NATO-n dhe kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban të cilët kërkuan lirimin pa kusht dhe të menjëhershëm të policëve shqiptarë të Kosovës.
Sigurisht që lirimi i tyre ishte një vendim i duhur, por zbardhja e të vërtetës mbi këtë akt dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti të pashembullt është i domosdoshëm në mënyrë që histori të tilla të mos përsëriten më. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, duke mbështetur plotësisht të drejtën e tyre për vendosjen e ligjit, rendit e sigurisë në gjithë territorin, të bëjnë çdo përpjekje për çtensionimin e situatës, për rikthimin te dialogu dhe marrëveshja e Ohrit. Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë që marrëveshja e mirë është interesi më i madh i Kosovës dhe kombit shqiptar, marrëveshja nuk i intereson Serbisë.
Unë jam sot këtu gjithashtu për të dënuar me forcën më të madhe ndërhyrjet brutale në punët e brendshme të Kosovës të Edi Ramës , sulmet e tij të përditshme ndaj qeverisë së Kosovës, përpjekjet e tij donkishoteske për të marrë një rol, rikujtoj shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Rama ka një përgjegjësi të madhe në bllokimin e zhvillimeve pozitive dhe zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë” –deklaroi Berisha.
Tre policët e Kosovës që u liruan janë Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi./tvklan.al