Ethet për debutimin e Lionel Messit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rriten ndjeshëm. Inter Miami bindi 35-vjeçarin për të firmosur një kontratë të majme financiare, me rreth 45-55 milionë euro në sezon, ku përfshihen paga, bonuset dhe aksionet e klubit. Firma me Messin ka sjellë ‘boom’ te skuadra e MLS. Në instagram, Inter Miami tani ndiqet nga 8.3 milionë përdorues, thuajse 6 milionë më shumë që prej zyrtarizimit të argjentinasit. Për momentin, Inter është ekipi i tretë më i kërkuar i MLS në platformën online Fanatics.
Sipas vlerësimeve të para të shtypit amerikan, ardhja e Messit do të çonte në shitjen e 2 milionë fanellave, me të ardhura jo më pak se 270 milionë euro. Këtë sezon, klubi nga Florida është lidhur me 5 sponsorë komercialë, ndërsa sponsor teknik është Adidas, unik për të gjithë klubet amerikane.
Ndërkaq, Messi është imazh i 15 kompanive të ndryshme në mbarë botën. Pra, argjentinasi mund të sjellë investime të mëtejshme në reklama ndoshta edhe falë kompanive të tij partnere, por edhe një dritare të rëndësishme për lojtarët që kanë oferta nga ekipet amerikane të futbollit.
Klan News