Limaj: Vetëvendosje po shkatërron çdo arritje të këtyre 20 viteve

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mori pjesë në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së pasditen e së shtunës kundër Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe kundër Ligjit për pagën minimale, i cili nuk ka përshirë kategoritë e dala nga lufta.

Limaj tha se Lëvizja Vetëvendosje po shkatërron çdo të arritur të shtetit të Kosovës në më pak se dy vite qeverisje.

“Këta njerëz jo që nuk bëjnë asnjë përpjekje për të sqaruar opinionin, për të kërkuar falje, për të bashkuar opinionin, por përkundrazi këta kanë filluar e kanë ndarë këtë shoqëri, e kanë copëtuar, me një fjalë parulla e tyre që ‘ata e kanë shkatërruar vendin për 20 vjet’, ju jeni dëshmitarë duke u shkatërruar të arriturat 20-vjeçare për dy vjet. Ja shkatërruesit e vendit, lirisë, demokracisë, shtetit, e gjithë çfarë është arritur në këto 20 vjet, këta për dy vjet janë duke e shkatërruar”, tha Limaj, transmeton KP.

Limaj deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje duan të shkatërrojnë të gjithë ata që nuk mendojnë njëjtë si në këtë parti, pavarësisht a është veteran i luftës, arsimtar, sindikata, gazetar apo opinionistë.

“Protesta është një nga alternativat për të shprehur pakënaqësi, për të thënë që këtyre që këto gjëra nuk kalojnë, ato përgjime nuk kalojnë, ju mund ta mbështesni, ta mbroni një njeri, por publiku ka nevojë për sqarime dhe shumica e qytetarëve kanë nevojë për sqarime çka po ndodhë dhe çfarë do të ndodhë me këtë vend”, tha Limaj.

Protesta e së shtunës është mbyllur e qetë ndërsa është paralajmëruar se ato do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me kërkesat që veteranët e UÇK-së të marrin beneficionet e tyre në lartësinë e pagës minimale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share