Anti-bixhozi: Pendarovski e mbron krimin
Pas njoftimeve se presidenti Stevo Pendarovski nuk e nënshkruan Ligjin për Kojërat e fatit të miratuar nga Kuvendit, në opinion ka pasur reagime të ashpra. Ka reaguar edhe BDI. Nga integristët e kanë quajtur veprimin e presidentit Pendarovski si vendim i cili është për keqardhje.
“Besimin e deputetëve dhe qytetarëve që e mbështetën atë si dhe gjithë këtë betejë për largim të kazinove dhe bastoreve nga shkollat dhe fëmijët tanë, për dyfishim të tatimeve dhe rritje të hyrave buxhetore dhe vështirësim të procedurave për hapje dhe zgjerim të industrisë, Pendarovski e hodhi në shportën e plehrave, zgjodhi anën e bastoreve dhe kazinove. Arsyetimin se qenka “keqpërdorur” flamuri europian për miratimin e ligjit është përrallë mbas darke, imagjinoni, s’paska patur vërejtje për përmbajtjen por për procedurën”, thonë nga BDI.
Kundër vendimit të presidentit Stevo Pendarovski kanë reaguar edhe nga lëvizja Anti-Bixhoz nga ku thonë se janë zhgënjyer dhe shtojnë se me këtë vendim, “Pendarovski e mbron krimin”.
“Jemi totalisht të zhgënjyer, ndihemi të tradhtuar nga vendimi juaj për të mos dekretuar ligjin e propozuar për lojërat e fatit, mbrojtjen tuaj të krimit dhe kriminelëve në të cilin ata janë të mbytur nga pasioni i krimit dhe grabitja klasike që i bëhet qytetarit. Me veprimin tuaj, gjoja keqpërdorim të flamurit evropian, legalizoni pastrimin e parave të pista dhe në emër të standardeve evropiane mbroni kapitalin e dyshimtë që po mbyt vendin tonë”, thonë nga Lëvizja Anti-bixhoz.
Por presidenti i Shtetit, Stevo Pendarovski ka deklaruar se nuk e ka dekretuar Ligjin për Lojërat e fatit pasi me të, Pushteti ka keqpërdorur flamurin e Bashkimit Evropian.
“Komisioni Evropian, gjegjësisht Bashkimi Evropian, para një muaji i ka dërguar një letër Qeverisë nga Brukseli dhe ka thënë se në procedurë në Kuvend keni një ligj që praktikisht abuzon me flamurin evropian, sepse nuk ekziston një direktivë e tillë evropiane. Mirëpo, deputetët po e shtyjnë deri në fund, e kalojnë atë ligj. Para disa ditësh më erdhi ambasadori evropian dhe më tha, ky është një tjetër abuzim i një serie të abuzimeve të flamurit evropian, askush nuk e konteston nëse ligji është i mirë apo i keq, thotë ai nuk duhet të abuzohet me flamurin evropian. Ai thekson se nëse duam të shkojmë në Bashkimin Evropian, duhet të sillemi si evropianë të vërtetë përpara se të anëtarësohemi”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.
Ligji për lojërat e fatit u miratua nga Kuvendit me 55 vota “për” dhe asnjë vote kundër./tvklan.mk