Sali Berisha i cilëson shpifje akuzat e ngritura nga SPAK për privatizimin e komplektit Partizani. Në një konferencë për mediat këtë të hënë, Berisha e cilësoi dosjen si “dokumentin paçavure të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë”, hodhi poshtë çfarë thuhet në të, duke dhënë versionin e tij për secilën nga pikat.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë, para shqiptarëve se kemi të bëjmë me një dacibao, fletërrufe për ata që nuk e dinë se çfarë janë, që në çdo paragraf shpreh dufet dhe urrejtjet e përroit psikik të Edi Ramës, ligësinë e tij shpirtëore dhe të skapistëve që ndajnë të njëjtin moral me të. Ajo është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”.
Berisha tha se në të vërtetë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, nuk ka marrë as 10 përqind të pronave që i takon si trashëgimtar nga gjyshërit e tij.
“Me dacibaon e tyre, shkruajnë si fakt kundër meje, se procesi i kthimit të pronave 5 familje pronare të tokës, ka filluar në 2007-n. Ky është mashtrim publik që përbën vepër penale sepse bazohet në fshehje të dhjetëra dokumenteve zyrtare që faktojnë se procesi i njohjes së pronës 5 familjeve, ka filluar në 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005. Po ashtu kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës, ka filluar në 1995. Ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës dhe ka vijuar me vite deri në 2009-n. Për të mbështetur kallëzimin e tyre të rremë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se unë reformën e pronësisë dhe reformat themelore të PD, amendimin e ligjit të kompensimit të pronave, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili, e vërteta është se nga pronat e tij, nga të dy gjyshërit si nga nëna dhe nga ai babai, nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon.
Sipas këtyre për këtë qëllim unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me 1 vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve për të faktuar provat e tyre. Po i pyes këta mendër zyrtarë, po Fatos Nano që para meje kishte zgjatur jo me 1, por me 2 vite afatin në këtë ligj për pronarët, e bëri këtë për dhëndrin tim? Shalatanë mjeranë!”/tvklan.al