Partitë politike po e shfrytëzojnë politikisht propozimin e Ligjit për amnisti, sipas Avokatit të Popullit, Naser Ziberi. Opozita maqedonase, sipas tij, nuk po jep argumente bindëse për kundërshtimin e këtij ligji, ndërsa nga ana tjetër, siç thotë Ziberi, ka shumë argumente se pse deputetët duhet ta votojnë këtë ligj.
“Maqedonia ballafaqohet me një situatë shumë të rëndë në sistemin penitenciar, në rrjetin e shtëpive ndëshkuese korrektuese, burgjeve e kështu me radhë. Mbipopullimi ka sjellë deri te situatat, të cilat janë jashtë çdo standardi ndërkombëtar dhe ligjeve të vendit… Instrumenti i vetëm në këtë drejtim është amnistia eventuale sepse të gjitha veprimet tjera duan kohë, financa, përgatitje etj. Ligji për amnisti është instrumenti i vetëm që ‘ad-hoc’ mund të ketë veprim pozitiv në këtë drejtim”, deklaroi Naser Ziberi./KlanMacedonia