Të dielën me fillim në orën 16:00 në të gjitha terrenet e Ligës së parë në program janë ndeshjet e javës së 29-të kampionatit. Takime interesante priten në Tetovë, Ohër dhe Turnovë.
Në stadiumin e qytetit në Tetovë përballen dy skuadrat fqinje Shkëndija dhe Gostivari. Humbja e javës së kaluar në Kavadar, me të madhe ka ndikuar në atmosferën e “kuqezinjve”.
Futbollistët thonë se tashmë asgjë nuk është në duart e tyre, por premtojnë maksimumin.
“Po normal edhe ne jemi përgjegjës për këtë dhe tani deri në fund të kampionatit për fat të keq asgjë nuk varet nga ne. Por përgjegjësia dhe obligimi jonë është së pari të marrim përgjegjësinë dhe në këto ndeshje të fundit të japim maksimumin. Edhe pse nuk varet gjithçka nga ne, ne patjetër në çdo ndeshje të shkojmë në fitore pa marrë para sysh nëse do të luajmë mire apo keq, ne patjetër të marrim tre pikët për të mbetur deri në fund në luftë për titull” – tha Davor Taleski.
Kampioni në fuqi Struga Trim Lum pas fitores në Gjorçe javën e kaluar takimin me Sileksin e presin të relaksuar por me gjithat duhet të japin angazhimin maksimal.
Shkupi më trajnerin e ri Ernest Gjoka do të mundohen të hakmerren Tikveshit për eliminimin nga Kupa dhe të mbeten në garë për titull.
Në “Biljanini Izvori” në Ohër zhvillohet përballja e dy ekipeve që luftojnë mbijetesën, Voska Sport – Bregallnica.
Në dy takimet tjera AP Brera në Turnovë takohet me Vardarin, ndërsa në Shkup, Rabotniçki kundër Makedonija Gj.P.
Të gjitha ndeshjet luhen të diel me fillim në ora 16:00. /tvklan.mk/