Kampioni në fuqi dhe lideri aktual në renditjen e tabelës Struga Trim Lum, të dielën është nikoqire e Voska Sport, ndeshje kjo e cila ka rëndësi jetike për të dyja skuadrat, për vendasit për të mbajtur pozitën aktuale, ndërsa për mysafirët për të siguruar mbijetesën.
“Derbi i liqenit, besoj që do të jetë një ndeshje e vështirë por ne, do të japim maksimumin dhe shpresoj që do ta fitojmë këtë lojë edhe pse e respektojmë Voskën. Besoj se do ta japim më të mirën dhe në fund do të dalim me tre pikë“ – tha Besart Ibraimi, futbollist i Struga TL.
Shkëndija në Tetovë, do të takohet me Bregallnicën. Vendasit vazhdojnë luftën për kreun e tabelës. “Tetovarët” vlerësojnë se pas tre barazimeve të njëpasnjëshme, është koha e duhur për fitore.
“Për ndeshjen e radhë presim të japim maksimumin. Stërvitjet kanë shkuar shumë mire dhe presim të japim gjithçka nga vetja për të marr rezultat pozitiv. Kemi tre barazime në tre ndeshjet e fundit ndaj presim çdo lojtar të jepe maksimumin e vet që ta fitojmë ndeshjen dhe të kapim ndeshjet tjera me radhë” – tha Bashkim Velija, futbollist i KF Shkëndijës.
Në dy takimet tjera, Gostivari do të përballet me Makedonija Gj.P. ndërsa në Strumicë, AP Brera është nikoqire e Rabotniçkit. Të gjitha ndeshjet e xhiros së 25-të zhvillohen në termin të njëjtë, duke nisur nga ora 15:00. /tvklan.mk/