Kombëtarja e Kosovës sonte me fillim nga ora 20:45, kundër Greqisë do të zhvillojnë ndeshjen e katërt në Ligën C, grupi 2, në Ligën e Kombeve.
Ekipi i Kosovës, ka udhëtuar dje drejt Greqisë, ku janë akomoduar në qytetin e Volosit, ku mbrëmë e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme në Volos kundër Greqisë.
Në krahasim me tre ndeshjet e para përzgjedhësi Alain Giresse nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e pesë futbollistëve për shkak të lëndimeve apo pezullimit. Bëhet fjalë për Edon Zhegrovën, Benjamin Kolollin, Lirim Kastratin, Ibrahim Dresevicin dhe Betim Fazlijin.
Pavarësisht këtyre mungesave të rëndësishme fitorja kundër Irlandës së Veriut ka bërë që motivi për sukses edhe kundër grekëve të jetë i madh, aq më parë kur dihet se ata janë rivalët direkt për pozitën e parë në grup.
Ndërkaq, Milot Rashica ka thënë se ka ardhur koha që Kosova ta mposhtë Greqinë, pasi në pesë përballjet e deritashme kemi regjistruar tri barazime e dy humbje.
“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes, shpresoj që kontributi im të ndikoj te golat. Besoj se ndeshja ime ndaj Irlandës së Veriut ishte më e mira në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kemi shumë mungesa, por të gjithë lojtarët janë gati dhe do të japim maksimumin.
Kosova është në Grupin e Dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve bashkë me Qipron, Greqinë dhe Irlandën e Veriut. Pas kësaj ndeshjeje, ajo radhitet e dyta me 3 pikë, pas Greqisë e cila ka 6 pikë dhe para Qipros Jugore dhe Irlandës së Veriut me nga 1 pikë.