Klisman Ibrahimi dhe Lidia Capa janë njohur me njëri-tjetrin prej më shumë se 7 vitesh, moment që shenjoi nisjen e një historike unike dashurie.
Të dy komunikojnë përmes gjuhës së shenjave pasi nuk flasin dot e as nuk dëgjojnë. Por kjo gjë nuk i ka penguar të angazhohen në punë, Lidia në “Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë” dhe Klisman si specialist i gjuhës së shenjave. Madje Lidia ka mbaruar Akademinë e Arteve, në dy nivelet: bachelor dhe master. Ata sot gëzojnë frytet e dashurisë, dy djemtë, Klei dhe Marli.
Pavarësisht problemit që kanë me komunikimin, dy të rinjtë e kanë gjetur zgjidhjen në çdo situatë të vështirë, sigurisht siç shprehen ata dhe me suportin e familjarëve.
Sot në programin “Rudina” në Tv Klan ata rrëfyen më shumë mbi përditshmërinë e tyre, rolin si prindër dhe angazhimet profesionale. Interpretuesja Nikoleta Spahi i ndihmoi gjatë gjithë rrëfimit të veçantë.
Klisman teksa kthehet pas në kohë e quan takimin e tyre “një dashuri me shikim të parë”, ndërsa Lidia thotë se iu desh pak më shumë kohë.
Lidia: Lidhja jonë ka filluar shumë herët, me shikime dhe takime të rastësisshme. Më bënë për vete, flokët kaçurrelë të Klismanit, shikimi dhe buzëqeshja.
Klisman: Kur e kam takuar Lidian e kam pëlqyer direkt, ka qenë dashuri me shikim të parë. Sot pas kaq shumë vitesh kemi ndërtuar një familje të fortë, kemi një komunikim shumë të mirë me njëri-tjetrin. E kam ndjekur pas Lidian sepse kisha dëshirë që ne të dy të lidheshim bashkë. E ndjeja që ajo ishte njeriu i duhur. Më pëlqeu shumë pamja e Lidias, ka qenë gjithmonë shumë e qeshur, humori që e karakterizon.
Më tej rrëfejnë ata, morën vendimin të jetojnë sëbashku.
Klisman: Nuk bëmë ceremoni martesore, vendosëm të bashkëjetonim. Historia jonë ka zgjatur sepse ishte pak e vështirë të merrnim një vendim. Unë aktualisht jetoj te shtëpia e Lidias, jetojmë prej 7 vitesh sëbashku. Ne takuam familjet, realizuam një ceremoni të vogël, gjithçka kaloi shumë mirë.
Lidia: Familjet e pritën mirë që në fillim, organizuan një ceremoni shumë të bukur me dhurata për secilin prej nesh./tvklan.al