Përmes një pres konference për media, Afrim Gashi nga Fronti Opozitar Shqiptar tha se pas koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim do të bashkojnë deputetët dhe do të krijohet grup të përbashkët parlamentar ku si koordinatore do të jetë Safije Sadiku ndërsa zv/koordinatore do të jetë Merita Koxhaxhiku, informon Klan M.
“Pas formalizimit të emrit të ri të koalicionit tonë, sot Lidhja jonë ka vendosur t’i bashkojë edhe deputetët e saj në një grup të përbashkët parlamentar. Në frymë të vendimit të organeve të partive tona, ne sot e kemi dorëzuar te kryetari i Kuvendit njoftimin se tash e tutje ne do të kemi grup të përbashkët parlamentar. Koordinatore e këtij grupi, me dakordim trepalësh, është caktuar deputetja Safije Sadiki Shaini, ndërsa zëvendëskoordinatore do të jetë deputetja Merita Koxhaxhiku.
Në këtë mënyrë, Lidhja Europiane për Ndryshim synon t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që i lejon Rregullorja e Kuvendit për grupet parlamentare. Dhe, ndonëse mandati parlamentar është kah fundi, konsiderojmë se ka mjaft çështje dhe procese të hapura që kanë të bëjnë me perspektivën europiane të shtetit, për çfarë Lidhja jonë është jashtëzakonisht e interesuar të ndihmojë. Në këtë drejtim, edhe formimi i grupit parlamentar do të jetë një vlerë shtesë në këtë organizim bashkëpunim.
Që këtu duam që qytetarëve t’ua japim lajmin e gëzuar se bashkim ynë po rritet dhe fuqia jonë po shtohet. Kur jemi këtu, i bëjmë thirrje edhe njëherë kryetarit të Kuvendit, z. Talat Xhaferi, të mos e zvarrisë zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-zë që i takon opozitës, sepse kjo e bën bashkëfajtor për mosrespektimin e Kodit Zgjedhor. Ne e kuptojmë manipulimin dhe tendencën e tij, por le ta dijë
se kjo te ne nuk kalon.
Ne jemi të vendosur që ta bëjmë këtë betejë deri në çlirimin e plotë të shqiptarëve nga regjimi i BDI-së dhe çirakëve të tyre. Në këtë rrugë asgjë nuk na dekurajon. Madje, sa më shumë që mendojnë se na godasin dhe na pengojnë, kjo veç na bën më të fortë. Shumica e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, që deshi të na shohë neve bashkë në këtë Lidhje, e dëshiron ndryshimin dhe këtë ortek të ndryshimit s’ka gjë që e ndalë. Ne jemi këtu vetëm që ta përmbushim këtë detyrim dhe të punojmë me përkushtim për ta siguruar suksesin e së ardhmes sonë të përbashkët”, thonë nga Lidhja Evropiane për Ndryshim./KlanMacedonia