Lidhja Europiane për Ndryshim akuzon BDI-në se po jep tender në vlerë prej 4 milionë euro nëntokës serbe, përcjellë Klan M.
”Këto ditë të fundvitit, kur partia shqiptare në pushtet mundohet t’u hedhë hi syve shqiptarëve me krekosjen se po e marrin kryeministrin teknik, i cili përveçse duhet ta mbajë të ngrohtë zyrën e kryeministrit gjatë periudhës së dimrit, nuk do të ketë asnjë kompetencë ligjore, nga ana tjetër po ata e thellojnë bashkëpunimin me kompani të Beogradit, pronarët të së cilës – sipas mediave serbe – janë struktura kriminele të nëntokës serbe.
Pra, në opinion patriotë mburravecë, ndërsa prapakamerave i forcojnë lidhjet me Beogradin përmes oficerit për lidhje, Përparim Bajrami.
Këtu duam ta njoftojmë opinionin se, së fundmi, kompania “Novo VLT”, që është në pronësi të Lotarisë Shtetërore, ku anëtarë të Bordit janë Përparim Bajrami, Omer Bunjaku dhe Artin Spahiu, të gjithë të BDI-së, ka firmosur një kontratë në vlerë prej 3.700.000 euro me kompaninë “HTL Makedonija” me pronarë nga Beogradi, ndërsa përmbajtja e kësaj kontrate është për furnizimin me 462 aparate VLT për shkatërrimin e familjes dhe të jetës së qytetarëve tanë. Për informacion të opinionit, një vit më parë, kur Lotarinë Shtetërore e drejtonte një drejtor i një partie tjetër, për 500 aparate VLT është paguar 2 milionë euro, pra dyfish më pak se tani.
Duke i pasur këto informacione, e pyesim publikisht kurbanin e Artan Grubit, Përparim Bajramin, se a i ka dakorduar këto punë të pista në lokalin “Lafayette Cabaret Club” në Beograd dhe në xhepat e kujt kanë përfundur këto dy milionë euro?
Kur jemi këtu, e pyesim edhe Bashkimin Demokratik për Integrim se pse nuk janë kaq të guximshëm për t’i mbrojtur interesat e Kosovës kur cenohet drejtëpërdrejt integriteti i saj territorial nga terroristë serbë, ndërsa janë kaq të zellëshm për bashkëpunim struktura kriminogjene me Serbinë? A mos vallë janë këto biznese të pista me nëntokën serbe arsyeja që më të zëshëm ishin dikur për projektin e Aleksandar Vuciqit, “Ballkani i Hapur”, sesa për ta mbrojtur sot Kosovën?!” – thonë nga Alternativa. /KlanMacedonia/