Lidhja Demokratike – idetë e Alternativës janë destabilizuese

Me nacionalizëm të mos mbulohet krimi”

Formimi i Bashkësisë së komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, për çka angazhohet partia Alternativa, vetëm disa ditë pasi u përjashtua nga koalicioni qeveritar, sipas Lidhjes Demokratike, do të thotë federalizim i Maqedonisë së Veriut, sipas shembullit të bashkësisë së komunave të Serbëve në Kosovë. Kjo është “retorikë nacionaliste dhe kërcënim serioz për marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe mbulim i krimit, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikohet perspektiva eurointegruese në dobi të Moskës”, thuhet në njoftimin e sotëm të partisë.

“Destabilizimi i Maqedonisë së Veriut do të thotë edhe destabilizim i Ballkanit që është strategji dhe qëllim kryesor i Rusisë, si dhe i nacionalistëve në Bullgari. Krahasimi me Kosovën është absolutisht i pasaktë dhe nuk ka asnjë ngjajshmëri”, thonë nga Lidhja Demokratike.

Lidhja Demokratike shton se ngjarjet rreth pavarësisë së Kosovës dhe kriza ndëretnike e vitit 2001 e kanë kthyer vendin me dekada pas dhe për këtë arsye tani bën thirrje për maturi dhe përgjegjësi , respektim të dallimeve dhe përforcim të institucioneve demokratike, luftë kundër korrupsionit dhe kohezion të brendshëm e stabilitet.

Idenë e Zeqirija Ibrahimit nga Alternativa e ka kundërshtuar analisti politik nga Kosova, Albinot Maloku. Politologu dhe publicisti Maloku, thotë se shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të harrojnë se janë popull konstitutiv i shtetit dhe për këtë duhet të insistojnë.

“Lutem të jetë vetëm muhabet ditor i politikës së subjektit në fjalë. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e kanë një dokument, të cilin e nxorën në vitin 2001, pas një lufte që nuk iu ofrua as për së afërmi synimeve të tyre, mirëpo të mendosh që një asociacion i ofrohet interesit të fuqisë së popullit konstitutiv të shtetit, është përtej naivitetit politik. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, asnjëherë nuk duhet të harrojnë se ata janë popull konstitutiv i këtij shteti dhe në këtë duhet të insistojnë”, thotë analisti Maloku në reagimin e tij./KlanMacedonia

PËRGATITI: BILJANA GEORGIEVSKA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share