Kreu i Republikës Çeçene Ramzan Kadyrov, njëkohësisht aleat i ngushtë i Kremlinit, ka bërë thirrje që të marrë fund konflikti aktual mes Izraelit dhe Hamasit, duke theksuar se ai po drejton një mision paqeruajtës në Palestinë.
Përmes Telegramit, Kadyrov ka ndarë një video-mesazh ku thotë: Ne mbështesim plotësisht veprimet e Palestinës, sepse Izraeli mori tokën e tyre dhe tani po i mban të izoluar. Ata nuk e kanë lirinë e fjalës. Sot unë e kundërshtoj luftën dhe po u bëj thirrje të gjithëve t’i japin fund kësaj lufte, për të parandaluar përhapjen e saj në të gjithë. Kjo luftë nuk do të përfundojë aq lehtë.
Ai konfirmoi po ashtu se një raketë e Hamasit ra pranë një xhamie që ai e kishte ngritur atje në nder të babait të tij, në një vendbanim izraelit jo shumë larg Jeruzalemit. Ai kërkoi nga të dyja palët që të përmbahen nga sulmet ndaj xhamisë.
“Unë po u bëj thirrje edhe një herë të gjithë muslimanëve, të gjithë qytetarëve dhe shtetit tonë që të mbështesin të vërtetën dhe t’i japin fund kësaj lufte. Ose na dërgoni atje në një mision paqeruajtës. Ne do të vendosim se kush ka të drejtë dhe kush ka gabim”, përfundon Kadyrov./tvklan.al