Liderët e BE-së: Prishtina dhe Beogradi të plotësojnë pa kushte marrëveshjet e 2013 dhe krijimin e asociacionit

Në përfundim të ditës së pare të samitit të 27 liderëve europianë të mbajtur në Bruksel, janë aprovuar konkluzione lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd. Në këto konkluzione vihet në pah nevoja urgjente për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të fundit tê BE-së, që konsiderohet si shans historik për ndërtimin e marrëdhënieve të reja midis dy vendeve dhe u bëhet thirrje të dy palëve të zbatojnë pa kushte marrëveshjet e dakorësuara më pare tê 2013 dhe 2015, përfshirê krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

“Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, të udhëhequr nga përfaqësuesi i tij i lartë.

Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët për të vendosur marrëdhëniet mes dy palëve mbi një bazë të re dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe synimin për të realizuar perspektivën e tyre evropiane.

Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat janë angazhuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për krijimin e asociacionit/bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

Përgatiti: Erisa Zykaj – tv Klan Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share