ANALIZOHEN OPSIONET QË TË MOS KETË NDËRPRERJE TË MËSIMIT PËR SHKAK TË FATURAVE TË RRYMËS
Librat pa të cilat filloi viti shkollor, sipas Ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri, do të jenë gati në fund të muajit tetor ose në fillim të nëntorit. Detaje për kompaninë që e ka fituar tenderin për shtypjen, pritet që ministria të publikojë nesër, ka deklaruar Shaqiri në intervistën javorë për Radio Evropa e Lirë. Autoritetet qendrore dhe lokale i analizojnë të gjitha mundësitë që të mos vijjë deri te ndërprerja e mësimit gjatë muajve të dimrit, për shkak të faturave tepër të larta të rrymës nëpër shkolla, thotë Shaqiri.
Në vend që me libra të rinj, viti i ri shkollor në vend për pjesën më të madhe të nxënësve të shkollave fillore filloi me materiale përgatitore të shtypura, si fazë kalimtare. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, në intervistë për “Radio Evropa e Lirë” thotë se për të më i rëndësishëm ka qenë koncepti i ri i librave, të cilat sipas tij do të jenë gati për pak më shumë se një muaj.
“Pres që fundi i tetorit, fillimi i muajit nëntor. Për mua procesi arsimor është shumë i rëndësishëm dhe fëmijët të kenë materiale që nga fillimi,” deklaroi Jeton Shaqiri ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në lidhje me akuzat se në tenderin për shtypjen e librave është favorizuar një kompani, Shaqiri theksoi se detajet do të publikohen nesër.
“Të hënën Ministria do t’i publikojë të gjitha dokumentet e nevojshme,”deklaroi Jeton Shaqiri ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Zgjidhje për mungesën kronike të kuadrit mësimor në arsimin fillor, sipas Ministrit është të motivohen nxënënsit e shkollave te mesme të regjistrohen në fakultete adekuate.
“Në Ligjin për standard të studentëve për grupe të caktuara që mendoj se duhet të zgjerohen, studentët marrin bursa në vlerë 18 mijë denarë në muaj, në qoftë se regjistrohen në drejtimet kimi, matematikë, fizikë. Në periudhën që vjen do të përpiqemi që sa më shumë nxënës të shkollave të mesme t’i motivojmë për të studiuar në këto degë,” deklaroi Jeton Shaqiri ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ministria dhe komunat pëpr momentin, sipas Shaqirit, i analizojnë të gjitha mundësitë që të mos vijë deri te ndërprerja e mësimit në shkolla për shkak të krizës energjetike, përkatësisht për shkak të faturave tepër të larta të rrymës për shkollat./KlanMacedonia/