Liberalizimi i vizave, Rama: Urime Kosovës, po edhe Bashkimit Evropian!

Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar Kosovën këtë të Enjte për vendimin e miratimit të liberalizimit të vizave nga ana e Bashkimit Evropian.

Përmes një postimi në Facebook-un e tij, Rama shkruan: Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian!

Kujtojmë se ky vendim u mor sot nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), por jo më vonë se 1 Janari i vitit 2024.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 Nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024. Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet. Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 Janari i vitit të ardhshëm./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share