Lëvizja POPULLI reagon ashpër ndaj skandalit të radhës të Qeverisë monoetnike – kërkesës së Ministrisë së Kulturës për marrjen e pronës së BFI-së në Çarshinë e Shkupit.
Prona e Bashkësisë Fetare Islame është dhuruar nga besimtarët muslimanë dhe është grumbulluar për shekuj me radhë nën institucionin pronësor Vakëf. Fatkeqësisht, para dhe gjatë komunizmit, Vakëfi ishte prona më e uzurpuar nga qeveritë e atëhershme.
Me ardhjen e sistemit pluralist, filloi edhe privatizimi apo rikthimi i pronave të uzurpuara pronarëve të tyre të vërtetë. Fatkeqësisht, ashtu si shumicës jomaqedonase, edhe BFI-së iu kthye shumë pak nga prona e saj dhe madje me shumë vonesë.
Pikërisht prona e rikthyer me të drejtë BFI-së para disa vitesh, sot është në shënjestër të Ministrisë së Kulturës, e cila ka ngritur kërkesë për marrjen e tre objekteve në Çarshinë e Shkupit – objekte të cilat tashmë janë rikthyer ligjërisht te BFI-ja. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të së drejtës së pronës, të njohur jo vetëm nga ligjet e vendit, por edhe nga konventat ndërkombëtare. Për më tepër, ky akt thellon ndasitë ndëretnike dhe ndërfetare.
Kërkojmë urgjentisht që:
Ministria e Kulturës, respektivisht Qeveria, të tërheqë këtë kërkesë.
Avokati i Shtetit të refuzojë këtë kërkesë ose, në të kundërtën, të japë dorëheqje.
Faktori ndërkombëtar të ndërhyjë në këtë shkelje të së drejtës së pronës, pasi ky akt rrezikon të rrënojë edhe më tej bashkëjetesën tashmë të brishtë në vend” – thonë nga Lëvizja Populli