Izet Mexhiti me përkrahësit e tij politik paralajmëruan sot “nismën për një fillim të ri”, pas një beteje të gjatë, sipas tyre, për ta demokratizuar dhe për ta kthyer në rrugë të drejtë, tani ish subjektin e tyre politik – BDI, përcjell KlanM.
Vendimmarrja në BDI, sipasj Mexhitit dhe nismës së tij, është bërë pronë individuale dhe brenda ish subjektit të tyre, siç tha edhe Mexhiti, ka mungesë totale të demokracisë. Në kumtesën e lëshuar pas aktivitetit të sotëm, nga kjo nismë thanë se një nga kundërshtimet që e kanë pasur me ish krerët partiakë, ka qenë edhe “Ballkani i Hapur”, përcjell KlanM.
“Në mungesë totale të llogaridhënies për punën e Qeverisë dhe programit politik të partisë, mosfunksionimit të jetës organizative të BDI-së, ngulfatjes të mendimit ndryshe, revanshimit politik ndaj të gjithë atyre që ngritën zërin kundër, ndaj të gjithë atyre që nuk u pajtuan asnjëherë me Ballkanin e hapur, pasiqë me dy këmbë u shkel statuti i partisë dhe u injorua vullneti i strukturës gjatë zgjedhjeve të brendshme partiake ku kryetarët e degëve u imponuan dhe emëruan nga ‘lartë’ si në komunizëm dhe nuk u zgjodhën nga baza, ne sot duam të informojmë opinionin e gjërë se nga dita e sotme po nisim një fillim të ri”, thuhet në kumtesë.
Mexhiti pasi njoftoi për dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe aktivitetet brenda BDI, të tijën dhe të përkrahësve të tij, shtoi se menjëherë nisin përgatitjet për subjekt të ri politk, që do të synojë bashkimin e faktorit opozitar shqiptar.
“Në konsultë të gjërë me aktivistët të cilat na kanë përkrahur për më shumë se 20 vite, por edhe duke e dëgjuar me vigjilencë zërin e qytetarit të pavarur, intelektualëve, afaristëve, sektorit civil, sportistëve, njerëzve të kulturës, individë që edhe na kanë kritikuar kur ka qenë nevoja, të cilët zëshëm flasin për të gjitha pakënaqësitë dhe problemet ekonomike me të cilat ballafaqohet qytetari shqiptar në RMV, ne që nga sot fillojmë përgatitjet për një Lëvizje të re politike në vend, e cila në esencën e vet do ta ketë demokracinë e brendshme dhe avancimin e të drejtave dhe statusit të shqiptarëve”, thonë nga Lëvizja e Mexhitit.
Për ta realizuar këtë, Mexhiti kërkoi mbështetje nga profesionistët, të rinjtë, vullnetarët e përkrahësit e sinqertë./KlanMacedonia