Nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit kanë reaguar ndaj Ministrisë së Arsmit për fillimin e vitit të ri shkollor ku akuzojnë se një varg me probleme të vjetra që ende nuk kanë zgjdhje, përcjellë Klan M.
”Viti i ri shkollor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk do të jetë i njëjtë me atë paraprak, përkundrazi edhe më i keq dhe më me shumë mungesa. Për shkak të politikave dështuese të ministrisë përkatëse dhe sidomos BDI-së, arsimi shqip vazhdon të rrënohet dhe të degradohet në përmasa tragjike.
Edhe sivjet, siç është paralajmëruar, do të kemi pakësim të filloristëve shqiptarë, për shkak të ikjes masive të familjeve shqiptare jashtë shtetit për ta siguruar kafshatën e gojës. Dhe ky fakt askënd nga pushtetarët shqiptarë nuk e brengos, pavarësisht të dhënave trishtuese për pakësimin alarmant vit pas viti. Kjo mungesë, fatkeqësisht do të bëjë që edhe shumë arsimtarë të mbeten pa punë. Mungesa e vizionit dhe nëpërkëmbja e arsimit shqip shumë shpejtë do të reflektohet me fillimin e mbylljes së shkollave për shkak të mospasjes nxënës.
Edhe sivjet nxënësit shqiptarë do ta ndjejnë mungesën e teksteve, edhe sivjet do t’u ofrojnë për përdorim libra të vjetër, për të mos thënë libra horor, të shqyera e të copëtuara. Me të dy këmbët do të shkelet dinjiteti i këtyre nxënësve, të cilët me vite e vite detyrohen të mësojnë edhe nga librat që kanë përmbajtje të diskutueshme. Edhe sivjet, pavarësisht premtimeve të shumta të drejtuesve shqiptarë në pushtet, nxënësit shqiptar do të mësojnë në objekte të vjetra, të cilave që moti u ka kaluar afati dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me shkollat ku zhvillohet arsimi cilësor. Pra, asgjë nga premtimet, që tashmë është bërë normale të përfundojnë në gënjeshtra. Edhe sivjet do të mungojë cilësia në arsim shqip, edhe atë në të gjitha nivelet. Janë me qindra probleme që nuk i shqetësojnë ata, të cilët paguhen me paratë e popullit për t’i vënë çështjet në binaret e duhura. Në vend të cilësisë, gjithandej kemi vetëm përpjekje për të vënë drejtues të partisë në pushtet. Fatkeqësisht, trajektorja e arsimit shqip shënon vetëm rënie dhe fundosja nuk është larg” – thuhet në kumtesën e Lëvizjes Demokratike. /KlanMacedonia