Lëvizja Demokratike: Sot e shpëtuat Mijallkovin, nesër do ta shpëtoni Gruevskin – përse po heshtni tani?!

Lëvizja Demokratike përmes një press për media akuzon Qeverinë se sot e shpëtuan Mijallkovin ndërsa nesër do të shpëtohet njejtë edhe Gruevski, përcjellë Klan M.

Ja deklarata e plotë:

”Kontradiktat e Qeverisë aktuale të Maqedonisë së Veriut nuk kanë fund. BDI dhe LSDM duan t’i afrohen Europës me ata që e larguan prej Europës. Çfarë ironie! Tanimë u pa qartë se miratimi i Kodit penal u bë për amnistimin e veprave kriminale të Gruevskit dhe Mijallkovit, dy figurave kyçe, në kohën e të cilëve shqiptarëve u ndodhën shumë tragjedi.

Ne jo rastësisht shtruam pyetjen se në çfarë cilësie Bujar Osmani vizitoi Budapestin dhe se a po përgatitet kthimi i Gruevskit, gjë që çdo ditë e më shumë po vërtetohet dhe gjithë opinioni i gjërë e lexon qartë se BDI shpëtimin e vetëm e sheh pikërisht te kthimi i Nikolla Gruevskit.

Dhe çfarë ndodhi: vepra kriminale e përgjimit masiv u vjetrua dhe Mijallkovi shpëtoi edhe nga kjo padi. Tanimë edhe oficialisht BDI u bë partner me Gruevskin dhe Mijallkovin pikërisht gjatë qeverisjes me LSDM. Të gjithë këto bashkë, për ta rrënuar rendin kushtetues!

BDI po i shpërblen partnerët e tyre të biznesit! Në çdo kombinim (lotarie) ata duan që të dalin fitues: të qëndrojnë në qeveri, por edhe t’i ruajnë miqtë e vjetër, Gruevskin dhe Mijallkovin. Ata i kanë bërë matematikat, por rezultati nuk do t’ju dalë mirë. Sipas këtij vendimi, qytetarët prej buxhetit të tyre, prej xhepave të tyre do të duhen t’i paguajnë edhe dëmshpërblim Mijallkovit për qëndrimin në paraburgim. Kjo çmenduri duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë! Për të mirën e gjeneratave që vijnë pas nesh!

Të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm duhet të ngrihen në këmbë dhe ta largojmë bashkë këtë të keqe! Dënimi do tu vie në ditën e zgjedhjeve! Ndryshimi i shumëpritur po vjen” – thonë nga Lëvizja Demokratike. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share