Lëvizja Demokratike: Konzistent me reagimet tona të mëhershme, përkrahim fuqishëm protestën qytetare kundër abuzimit në Deponinë Drislla

”Lëvizja Demokratike, në vijë me shqetësimin e qytetarëve të Karshiakës, e sidomos atyre të fshatit Batincë dhe konzistent me reagimet e mëhershme (29 gusht) duke ngritur alarmin për Deponinë Drislla përmes Dr. Rexhep Memedit, ku nga vendngjarja reaguam që kjo deponi paraqet problem publik, ambiental dhe shëndetësorë, përkrahim fuqishëm protestën qytetare të paralajmëruar për sot, 15.09.2023 dhe ftojmë që të gjithë qytetarët pavarësisht proviniencës politike të marrin pjesë në mënyrë sa më masovike.

Drislla tashmë 30 vite funksionon pa përmbushur kriteret e duhura ekologjike, konform Ligjit për Mbrojtje dhe avansim të ambientit jetësor dhe Ligjit për menaxhim me mbeturinat, e mos të flasim për standardet evropjane bashkëkohore.

Thjeshtë këtu kemi një deponi primitive, një sipërfaqe apo gropë të madhe prej 76 hektarësh ku në vit hudhen dhe mbulohen me dhe rreth 200 000 tonë mbeturina komunale, industriale, mbeturina medicinale edhe mbeturina tjera me rrezik të lartë infektues e kancerogjen.

Kjo e bën Deponinë Drislla vërtet një bombë ekologjike. Por, pamjet e fundit që vijnë nga rrjetet sociale, e që përveç mbeturinave po shohim edhe foshnja të abortuara dhe gjymtyrë të njerëzve që barten zvarë nga qentë endacak, i tejkalon edhe skenaret më trishtuese të filmave horror, që njëkohësisht mund të paraqesë edhe burim i sëmundjeve.

Kjo gjendje vazhdimisht rrezikon dhe dëmton rëndë shëndetin e mbi 50 000 banorëve të f. Batincë (që gjendet në afërsi prej 500 metrave) dhe vendbanimeve tjera në rajonin e Karshiakës, lagjes Draçevë e më gjërë.

Prandaj, ftojmë institucionet kompetente që urgjentisht të merren me këtë çështje!” – thuhet në kumtesën e Lëvizjes Demokratike. /KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share