LEN: Vendime për të gjithë të punësuarit me kontratë në 6 muajt e para të qeverisë!

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim thonë se shqetësime të shumta kanë arritur nga ana e qytetarëve të cilët janë ankuar për presione të vazhdueshme nga ana e drejtuesve të institucioneve për të shkuar nëpër tubimet partiake të BDI-së. Sipas LEN, pagën që me shumë mund e fitojnë të punësuarit detyrohen t’ua kenë borxh të fortëve të partisë në pushtet. Nga opozita shqiptare theksojnë se presioni më i ri vjen përmes paralajmërimit për trajnime dhe testime rigoroze ndaj administratorëve.

“Kjo qeveri e korruptuar i ka ditët e numëruara! E gjendur në panik dhe e frikësuar nga humbja që е pret, kjo qeveri e korruptuar në ikje ka filluar presione të hatashme e ç`njerëzore ndaj qytetarëve, e posaçërisht ndaj të punësuarve në administratën publike.

Jemi para jush, sot këtu, për ti dhënë zë shqetësimit të një numri të madh të të punësuarve nëpër institucionet e shtetit që vijnë deri tek ne, të cilët gjinden në presion të paparë të përditshëm nga krerët e institucioneve të cilët janë të emëruar politikisht, për të shkuar nëpër tubimet partiake të BDI, sikur edhe sot e kësaj dite, pagën që me shumë mund e fitojnë, tia kenë borxh të fortëve të partisë në pushtet.

Sikur mos të mjaftojë kjo, qeveria e korruptuar në ikje sjell vendime shtesë për të vazhduar terrorin psikologjik ndaj të punësuarve në administratën shtetërore. Presioni më i ri vjen përmes paralajmërimit të trajnimeve dhe testimeve rigoroze ndaj administratorëve, gojarisht dhe me shkrim, ku ata që do të dështojnë do të largohen nga puna.

Të nderuar qytetarë, natyrisht që ne jemi për avancimin e diturive të të punësuarve, trajnimin e tyre, por këto vendime, tani, paraqesin vetëm presion për nëpunësit administrativ. Këto lloj vendimesh, para zgjedhjeve, nuk janë asgjë më shumë se edhe një mekanizëm komunist për të shantazhuar, kushtëzuar e frikësuar të gjithë të punësuarit në administratën e shtetit. Fatkeqsisht, kësaj shtrese, që u mohoet përparimi në karrierë duke i mbajtur me dekada bashkëpunëtorë të rinj, përpos problemeve të mëdha me inflacionin dhe varfërrimin e popullatës, tanimë po u vëndohet edhe një ngarkesë shtesë, edhe një kërcënim shtesë, QË NËSE NUK MENDOJNË DHE NUK BËJNË SIÇ THOTË PARTIA, DO I LARGOJNË EDHE NGA PUNA, DO UA NDALOJNË EDHE RROGËN QË E DËRGOJNË NË SHTËPI PËR FËMIJËT DHE FAMILJET E TYRE, DUKE RIKTHYER DIFERENCIMIN POLITIK SI NË KOHËN E KOMUNIZMIT!

Kjo mendësi është pikërisht e njejtë si ajo e regjimit të Gruevskit kur qytetarët edhe për një termin IN-VITRO, kushtëzoheshin me 20 apo 30 vota për partinë në pushtet.

Ky pushtet i kriminalizuar ka humbur kontaktin me realitetin. Në frikë nga humbja ata qëllimisht, me kontrata mujore në vepër mbajnë edhe një numër të madh të punësuarish, duke i kërcënuar e shantazhuar për çdo muaj me ndërprerje kontratash më shumë se 2500 të punësuar vetëm në sektorin e shëndetësisë! 2500 profesionistë, të ndershëm që për çdo ditë shkojnë dhe kryejnë punën e tyre, vetëm që të shërbejnë si makineri votimi në ditën e zgjedhjeve, mbahen me kontrata mujore duke mos ua paguar as edhe sigurimin shëndetësor e pensional!

Të nderuar qytetarë, në gjithë këtë katrahurë ka edhe një të mirë. Ora e çlirimit nga këto pushtetarë të korruptuar e nga kjo diktaturë po vjen! Me ardhjen në pushtet të Lidhjes Europiane për Ndryshim këto dukuri do tia lëmë së shkuarës! Ne bashkarisht me ju do ta bëjmë ndyshimin. Ne do të bëjmë çmos që ti avancojmë dhe mbrojmë administratorët, që të ushtrojnë profesionet dhe punën e tyre me dinnjitet dhe lirshëm, absolutisht pavarësisht bindjeve politike e ideologjike, ndërsa për të punësuarit me kontratë në vepër, do të angazhohemi që brenda 6 muajve të marrin vendimet e shumëpritura të punës.

Për fund, ftojmë të gjitha institucionet kompetente, avokatin e popullit, faktorin ndërkombëtar, organizatat joqeveritare, të marrin masa për parandalimin e këtij presioni të turpshëm që po bëhet ndaj administratorëve!”, thonë nga Lidhja Evropiane për Ndryshim.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share