LEN: Raporti i Entit Shtetëror të Statistikave dëshmon për eksodin e shqiptarëve, të sponsorizuar nga BDI-ja

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim përmes një kumtese kanë akuzuar BDI-në se po sponsorizon eksodin e shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, përcjellë Klan M. Ata mes tjerash thonë që raporti i Entit Shtetëror për Statistika e dëshmon këtë.

”Të dashur qytetarë, sot jemi këtu për të thënë se projekti i Entit Shtetëror të Statistikave flet për një eksod masiv të popullsisë sonë, ndërsa fajtori për këtë nuk është më anonim.

Siç kemi mundur ta shohim të gjithë, projeksioni i popullsisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2070, i publikuar së fundi nga Enti Shtetëror i Statistikave, ndonëse është gjysmë hipotetik, përsëri mbetet i bazuar në fakte dhe matje empirike. Ndërkaq, duke iu referuar këtij projeksioni, me keqardhje mund të themi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut nuk është aspak premtuese.

Më shqetësuesja e këtij raporti janë numrat që lidhen me migrimin e popullsisë. Aty lexohet qartë se mbi 200,000 qytetarë e kanë braktisur vendin në 20 vitet e fundit, një periudhë kjo që përkon pikërisht me vitet e qeverisjes së BDI-së. Megjithëse raporti nuk ka bërë ndarje të bazë etnike, me një kalkulim të thjeshtë, nëse gjysma e kësaj popullsie që kanë migruar janë shqiptarë, pa vështirësi mund të konstatojmë se rreth 125,000 shqiptarë e kanë braktisur vendin gjatë periudhës sa BDI-ja ishte në pushtet.

Me një fjalë, Ali Ahmeti dhe BDI-ja janë fajtorët e përveçëm të shpërnguljes së rreth 125,000 shqiptarëve në vendet perëndimore. Këtë “sukses” të Ali Ahmetit do ta xhelozonte edhe Nikolla Pashiqi i Jugosllavisë mbretërore dhe Rankoviqi i Jugosllavisë titiste. Asnjë forcë tjetër e asnjë terror shtetëror nuk ka mundur të shpërngulë më shumë shqiptarë seç ka bërë Ali Ahmeti me krim e korrupsion.

Sidoqoftë, Lidhja Europiane për Ndryshim mbetet e përkushtuar fuqishëm për ta ndërruar kahjen e këtij trendi të frikshëm për perspektivën e vendit, së pari duke e luftuar luftuar korrupsionin, së dyti duke ofruar masa dhe politika efikase për mirëqenie ekonomike dhe, së treti, duke i ngritur standardet e arsimit, drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve. Ndryshimi po vjen, ndërsa bashkë me këtë ndryshim po vjen edhe një projeksion më shpresëdhënës për qytetarët e Maqedonisë së Veriut” – thonë nga Lidhja Europiane për Ndryshim.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share