Gashi: Ky vit ka qenë i suksesshëm për BDI-në, në kuptim të futjes në lista të zeza
Opozita shqiptare paralajmëron masa radikale, në rast se nuk votohet kandidati i tyre i propozuar për anëtarë të KSHZ-së. Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, që është edhe pjesë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim, tha se si opozitë kërkojnë prej shumicës parlamentare që deri në fund të këtij vit ta votojë kandidatin e tyre të propozuar për anëtar të KSHZ-së, në të kundërtën do të bojkotojnë Kuvendin, por edhe do të shqyrtojnë masa më radikale në rast se nuk respektohet ultimatumi i tyre.
“Nëse shumica nuk e voton anëtarin e KSHZ-së që e kemi propozuar ne, që na takon me ligj, ne do ta bojkotojmë Parlamentin, andaj nuk bëhet fjalë ne çfarë do të bëjmë në Parlament pas një janarit, është shumë me rëndësi ta kuptojë shumica edhe faktori ndërkombëtar edhe qytetarët që nuk guxojnë të luajnë me anëtarin e KSHZ-së dhe me procesin zgjedhor, për shkak se kështu thyhet principi bazë i zgjedhjeve të barabarta dhe fer”, deklaroi Afrim Gashi.
Gashi po ashtu, ka dënuar pjesëmarrjen e kryetarit të Strugës, Ramiz Merko në organizimet partiake të BDI-së, duke pasur parasysh se së fundmi, SHBA vendosi Merkon në listë të zezë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
“Na akuzojnë neve se jemi kundër Evropës dhe ata gjithë ditën punojnë se si ta sjellin Gruevskin, si ta falin Mijallkovin për krimet që i ka bërë dhe bashkë me Ramiz Merkon, duke mos marrë asnjë hap ndaj tij të vazhdojnë dhe të bashkëpunojnë dhe ta festojnë bashkë Vitin e Ri, për shkak se ka qenë vit shumë i suksesshëm për ta në këtë kuptim të futjes në lista të zeza”, tha Gashi.
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i ka bërë ftesë edhe njëherë Aleancës për Shqiptarët që t’i bashkangjitet Lidhjes Evropiane për Ndryshim, pasi vlerëson së në këtë mënyrë, do të korrnin fitore bindëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./KlanMacedonia