MPJ: Brenda dy ditëve nga Izraeli evakuohen 30 shtetas të RMV-së!

200 SHTETAS TË RMV-së në IZRAEL, PJESA MË E MADHE NË VENDE TË SIGURTA

Përmes kanaleve të ndryshme të transportit edhe 10 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë evakuar nga Izraeli – njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas njoftimit, katër me fluturim deri në Athinë, pesë deri në Podgoricë, kurse një person tjetër me fluturim deri në Stamboll. Numri i përgjithshëm I qytetarëve tanë të evakuar nga Izraeli tejkalon 30 – thonë nga Ministria e Jashtme.

“Ambasada e RMV-së në Tel Aviv, në bashkëpunim të ngushtë me shtabin e krizës në MPJ, aktivisht punojnë për kthimin edhe të 100 shtetasve tanë, që kanë kërkuar ndihmë për t`u larguar nga Izraeli. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në vende të sigurta” – thonë nga MPJ.

Por, sipas Ministrisë së Jashtme, një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut gjenden në rajone që vlerësohen jo të sigurta dhe është siguruar transporti i brendshëm për t`u transferuar në vende të sigurta. Në mesin e tyre janë edhe dy shtetas në Rripin e Gazës, për evakuimin e të cilëve është ngarkuar Ambasada e RMV-së në Kairo.

“Sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, në territorin e Izraelit qëndrojnë deri 200 shtetas të RMV-së. Pjesa më e madhe e tyre janë të lokalizuar dhe jemi në komunikim deri në kthimin e tyre në vend. MPJ-ja ka përgatitur informatë për situatën në Izrael, me projeksione për ditët e ardhshme, që është dorëzuar në Qeveri e cila vendos për hapat e mëtutjeshme” – thonë nga MPJ.

Ministria e Jashtme rikujton se në dispozicion janë dy SOS telefonat kujdestar të Ministrisë si dhe telefoni kujdestar i Ambasadës së RMV-së në Tel Aviv.

Ndërkaq, Kryeministri Dimitar Kovaçevski, përmes Facebookut, me rastin e zhvillimeve të fundit ka mbështetur popullin izraelit dhe ka dënuar, sic thuhet, sulmet terroriste të Hamasit duke bërë thirrje që përmes dialogut të arrihet paqa.

Me këtë rast, në shenjë mbështetjeje për Izraelin, mbrëmë ndërtesa e Qeverisëë ishte “ngjyrosur” me flamurin izraelit. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share