Njohësit të çështjeve politike në vend po vlerësojnë se largimi nga detyra si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi i të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk është i mundur.
Muaj më parë Lajçak, u akuzua nga kryeministri Albin Kurti se në dialogun e fundit ai ka mbajtur anën e shteti serb, por sipas njohësve të kësaj fushe, edhe pas akuzave të Kosovës ai pati mbështetje të madhe si nga BE-ja e si nga ShBA-ja për punën e tij.
Ata kanë bërë që tani Kosova të fokusohet që të tregoj qartë pozicionin e Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit dhe të mos të fokusohet në largimin e ndërmjetësuesve.
Analisti politik, Shemsi Jashari, tha se në fazën ku momentalisht është Kosova do të duhet që të mos fokusohet në kërkesa për largimin e ndërmjetësuesve ose zëvendësimin e tyre, pasi sipas tij, nga vende e BE dhe SHBA-ja ata gëzojnë një mbështetje thuaje absolute për të ndërmjetësuar në këtë proces.
“Fakti që ndërmjetësit nga BE-ja janë parë me një sy se janë duke anuar me akomodimin e kërkesave të Serbisë në dialog nuk është sekret. Të gjithë e sidomos pala kosovare e beson këtë. Në fazën ku momentalisht jemi mendoj që nuk do të duhej që të ishte prioriteti kryesor i Kosovës kërkesa për largimin e ndërmjetësuesve ose zëvendësimin e tyre. Kujtojmë këtu që ndërmjetësit përfaqësojnë qëndrimin e BE-së në dialog. Nëse e shohim nga vendet e BE-së ata gëzojnë një mbështetje thuajse absolute. Edhe nga SHBA-ja për të ndërmjetësuar në këtë proces”, tha ai.
Ai bëri thirrje që Kosova ta zhvendos vëmendjen në problemin real që është Serbia dhe të kuptuarit e qartë të pozicionit të shteti fqinjë.
“Kemi parë konfirmimin pas kritikave që kanë marr nga Kosova që janë të një anshëm, kanë marr mbështetje publikë si nga përfaqësues të lartë të shtetit amerikan po ashtu edhe nga vendet evropiane. Çka nënkupton që nuk do të duhej Kosova të insistonte në ndërrimin e tyre për ta zhvendosur vëmendjen nga problemi real e që është Serbia dhe të kuptuarit e qartë të pozicionit të Serbisë të veprimeve të Serbisë. Duhet të orientohet në atë drejtim që të dokumentohet edhe pse tashmë është e qartë se veprimtari e Serbisë, komanda, plani dhe kush është urdhërdhënësi i atyre sulmeve terroriste ne e kemi parë”, tha ai.
Arbnor Sadiku, analist politik, ka thënë se largimi i Lajçakut mund të ndodh vetëm nëse ai dorëhiqet nga dhe se nuk ekziston mundësia që ai të largohet nga kërkesat e Kosovës.
Ai tha se mundësi që ai të largohet nga pozita e ndërmjetësuesit është nëse ai merr ndonjë pozitë në shtetin e tij në Sllovaki, kjo pasi në zgjedhjet e fundit partia që i takon ai i ka fituar zgjedhjet.
Ai ka shtuar që Kosova tani do të duhet që të fokusohet që të dokumentojë sa më shumë sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Është e vërtet që Kosova ka qenë skeptike për rolin e Lajçakut si ndërmjetësues, disa me arsye. Nuk është shumë me rëndësi se çka mendon Kosova, është shumë e rëndësishme çka mendon unioni Evropian dhe ShBA, pasi qe ai paguhet nga Unioni Evropian dhe të njëjtën kohë merr mbështetje të vazhdueshme nga ShBA. Kjo mbështetje u pa edhe tash që është konfirmuar në një farë forme për Lajçakun. Sa i përket aspekti që në rast ai vetëm dëshiron të largohet vetvetiu për shkak se partia të cilës ai i takon në Sllovaki i ka fituar zgjedhjet, ndoshta marrja e ndonjë pozite në qeveri e re Sllovake mund ta largoj Lajçakun nga dialogu por jo për shkak të ankesave të Kosovës”.
“Unioni evropian dhe ShBA nuk i ka marr parasysh ankesat e Kosovës, ata i kanë dhënë mbështetje të plotë. Fokusi jonë do të duhej që të prezantohej sa më mirë ky sulm terrorist siç ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës duke dokumentuar për ditë përmes konferencave”, tha ai.