LAJMI I FUNDIT: Lirohen tre policët që ishin kidnapuar nga policia serbe

Tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga autoritetet e Serbisë më 14 Qershor janë liruar ditën e sotme. Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi dolën ditën e sotme para gjykatës në Kralevë.

Lajmin e konfirmoi edhe gazetarja e Klan News, Blerta Dalloshi Berisha. “Në fakt e kanë konfirmuar nga kolegët në Serbi që kanë përcjellë seancën gjyqësore sot e cila ka nisur në orën 09:00 në Kralevë. Thonë që po është e vërtetë që janë liruar 3 policët e Kosovës, por nuk kam më shumë detaje të tjera rreth kësaj. Mbetet të shihet nëse do të vijnë sot dhe nga cila pikë kufitare do të kalojnë. Më afër kanë pikën kufitare të Jarinjës, por për shkak të situatës dhe është një rrugë shumë e gjatë, ndoshta mund të vijnë në pikën kufitare në Merdare. Priten detaje të tjera se si janë liruar, çfarë ka thënë gjykatësi për lirimin e tyre, por ajo që më kanë konfirmuar kolegët që kanë ndjekur seancën në Kralevë është që tre policët janë liruar”, tha ajo

Kujtojmë se autoritetet në Kosovë njoftuan menjëherë se policët u rrëmbyen brenda territorit të saj teksa patrullonin në një rrugë që shërbente për kontrabandën. Ndërsa nga ana tjetër, Serbia pretendonte se policët kishin hyrë thellë në territorin e saj.

Arrestimi i policëve tensionoi edhe më shumë situatën mes Prishtinës dhe Beogradit. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje vazhdimisht që të merren hapa për të çtensionuar situatën./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share