I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se do të udhëtojë për në Uashington, për të zhvilluar bisedime lidhur me situatën në veri të Kosovës.
“Do të shkoj në Uashington me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe për hapat e menjëhershëm”, shkroi Lajçak në Facebook, pa dhënë më shumë detaje.
Lajçak po ashtu tha se gjatë javës ka njoftuar Brukselin për vizitën që ka zhvilluar në Kosovë dhe Serbi së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai tha se për situatën në Kosovë ka biseduar edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.
“Të dy jemi pajtuar se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm që duhet të ndërmerren për përshkallëzimin e situatës”, tha Lajçak.
Që nga 26 maji, tensionet në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Për shkak të tensioneve, Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim krize. Takimi është paraparë të mbahet këtë javë.
Por, Vuçiq deklaroi më 18 qershor se ai nuk do të marrë pjesë në një takim me Kurtin.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Kurti ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja.