Lajçak: Të depërshkallëzohet situata në veri, të kthehen palët në dialog

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje për takimin që e pati dje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se takimi në fjalë u bë për të gjetur një zgjidhje për situatën që është duke ndodhur në veri të vendit pas protestave të ditëve të fundit.

“Ne kërkuam depërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës, rivendosjen e qetësisë dhe palët të kthehen në përpjekjet e tyre për normalizimin e raporteve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Lajçak.

Ndër tjera, ai ka shtuar se u takua me Ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Thomas Goffus, me të cilën tha se u munduar që të koordinohen për hapat e mundshëm që duhet të merren për t’i ulur tensionet.

Lajçak ka deklaruar po ashtu se sot është kthyer në Bruksel pas përfundimit të paraqitjes së tij në forumin “Globsec” në Bratisllavë të Sllovenisë.

I dërguari i BE-së tha se pjesëmarrja e tij këtë vit u la në hije nga ngjarjet në veri të Kosovës dhe “dhuna që rezultoi me lëndime të disa trupave të KFOR-it, qytetarëve, mediave dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit”.

” Si rezultat, pjesën më të madhe të kohës sime në konferencë ia kushtova koordinimit të ngushtë me partnerët tanë dhe monitorimit të situatës në terren”.

“Ngjarjet në veri të Kosovës nuk kaluan pa u vënë re edhe nga mediat, ndaj kam dhënë disa intervista për media të ndryshme ndërkombëtare”, ka thënë Lajçak.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share