Lajçak: S’ka afat zyrtar se kur Prishtina dhe Beogradi duhet t’i përmbushin kërkesat e BE-së

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk ka ndonjë afat zyrtar rreth asaj se kur Prishtina dhe Beogradi duhet t’i përmbushin kërkesat e Bashimit Evropian.

Në një intervistë për Euronews Serbia, ai ka shtuar se përfaqësues të lartë ndërkombëtarë janë të angazhuar në këtë çështje, transmeton Klan Kosova.

“Nuk ka një afat zyrtar. Por në politikë gjithçka është e lidhur. Shihni sa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë janë të angazhuar në këtë çështje. Ne patëm telefonata nga presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken”, ka thënë Lajçak.

Tutje, ai ka shtuar se situata është aq e tensionuar dhe serioze, saqë zyrtarët më të lartë botërorë duhet të merren me të dhe të përfshihen në zgjidhjen.

“E gjithë kjo disi ruhet në atmosferën në bashkësinë ndërkombëtare, në imazhin e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Pra, mendoj se është në radhë të parë në interes të Serbisë dhe Kosovës që kjo çështje të zgjidhet dhe rajoni të merret me çështje evropiane, jo me menaxhimin e krizave”, ka shtuar ai.

Sipas tij, de-përshkallëzimi do të thotë që kryetarët e komunave të tërhiqen nga ndërtesat ku ndodhen aktualisht, kryesisht në Leposaviq dhe të punojnë nga disa ambiente të tjera, siç bëjnë tashmë dy kryetarët tjerë.

“Do të thotë se merren me disa çështje administrative, por jo politike. Për këtë ata nuk kanë marrë mandat nga votuesit e komunitetit serb. Në të njëjtën kohë presim që demonstruesit, policia speciale dhe KFOR-i të tërhiqen. Që të kemi paqe, që njerëzit t’i kthehen jetës së tyre dhe t’i kthehemi punës sonë”, ka thënë ai tutje.

Fillimisht është qetësimi i situatës, pastaj hapi tjetër është të diskutohet rreth asaj se kur do të ketë zgjedhje të reja dhe si do të arrihen ato.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share