Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e sotëm të nivelit të lartë shpreson që të dy liderët të vijnë me vizionin dhe guximin politik të nevojshëm për t’i sjellë të dy vendet më afër të ardhmes evropiane.
Lajçak përmendi vizitat që i ka bërë në Kosovë e Serbi gjatë javës së kaluar, ku tha se diskutuan për qëllimin e takimit të sotëm.
“Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar qëllimin e këtij takimi – të shqyrtohen të arriturat dhe të planifikohen hapat e ardhshëm, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, tha Lajçak, transmeton Klankosova.tv.
Takimi i sotëm i nivelit të lartë mes Kurtit e Vuçiqit do të jetë i pari pas më shumë se nëntë muajsh, pasi takimi i fundit ishte në fillim të shtatorit të vitit të kaluar.