I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, paralajmëroi të martën një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe të përdorimit të dinarit serb, që çoi në mospajtime të thella ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe diplomatëve perëndimorë.
Lajçak i cili bisedoi për më shumë se dy orë me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel në të cilin u diskutua çështja e dinarit, janë gjetur përgjigje në disa çështje, por… “Janë disa pikëpyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me zotin Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj organizimin e një takimi të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha zoti Lajçak.
Në takimin e 27 shkurtit në të cilin Serbia përfaqësohej nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç, nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.
Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Kosovën dhe kanë paralajmëruar se partneriteti ndërmjet dy qeverive, është dëmtuar me qasjen e saj ndaj çështjes së dinarit.
“Kjo marrëveshje është më e mira që mund të kishin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë?. E vetmja cështje që mbetet e hapur është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të fillojë të zbatohet”, tha Lajçak.
Në tetor të vitit të kaluar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij dhe ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës. Ata i paralajmëruan të dyja palët se zbatimi i marrëveshjes është në thelb të rrugëtimit të tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian./VOA