Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vijë nesër për vizitë në Prishtinë. Vizita është pjesë e përpjekjeve për organizimin e një takimi mes kryenegociatorëve mes shqetësimeve perëndimore për shtimin e tensioneve në veri.
Vizitën e tij e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
“Po mund të konfirmojmë se emisari Miroslav Lajçak do të vizitojë nesër në Prishtinë”, ka deklaruar Stano.
Ai ka thënë se po angazhohen me partnerët në Kosovë dhe se shpresojnë që çështjet të zgjidhen përmes dialogut.
“Ne po angazhohemi me partnerët në Kosovë, po u dërgojmë mesazhe dhe shpresojmë që të jemi në gjendje që më në fund këto çështje, t’i zgjidhim aty ku e kanë vendin, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Stano.
Lajçak javën e kaluar deklaroi se vizita ka për qëllim përgatitjen e një takimi në nivel kryenegociatorësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje dje shtetasve të Kosovës, përfshirë edhe mërgimtarëve, që planifikojnë të bëjnë kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Apeli i Ministrisë erdhi pas paralajmërimeve për bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare.
“Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës. MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, u tha në njoftim.
Paralajmërimi për bllokim të kufijve erdhi pas aksionit që zhvilloi të premten Policia e Kosovës në veri, me kërkesë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ku u mbyllën pesë komuna paralele.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, foli dje lidhur me këtë aksion, ku tha se ndërkombëtarët kanë qenë të informuar se do të mbyllen këto komuna paralele, derisa shtoi se mbyllja e tyre nuk do të duhej të ishte lajm pas kaq viteshm.
“Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele… Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, ka deklaruar Krasniqi në RTK.