Një vrasës i panjohur i cili masakroi një çift dhe dy fëmijët e tyre nuk është kapur ende, pavarësisht se në skenën e krimit u gjetën rrobat e tij të gjakosura, shenjat e gishtave, këpucëve dhe WC-ja e pashkarkuar.
Motivi i këtyre vrasjeve makabre është ende një mister i pazgjidhur dhe asnjë prej teorive që janë sugjeruar nuk është bindëse. Rasti njihet si vrasjet e familjes Setagaya për shkak se kjo lagje e Tokios ishte edhe shtëpia e saj, shkruan “Buzzfeed”.
Vrasësi i Setagaya-s ishte i pamëshirshëm dhe me vetëbesim. Ai la pas kaq shumë prova sa policia mundi të identifikonte edhe çfarë kishte ngrënë përpara se të kryente krimet.
Diku rreth orës 11 të mbrëmjes më 30 Dhjetor 2000, Mikio Miyazawa, 44 vjeç, gruaja e tij Yasuko, 41, vajza 8 vjeçe Niina dhe djali 6 vjeç Rei u vranë nga një i panjohur. Sulmi ishte i përgjakshëm, kur vrasësi po i ngulte thikën Mikio-s, arma e tij u thye dhe një pjesë e saj u gjet e ngecur në kokën e viktimës.
Më pas ai mori një nga thikat e kuzhinës për të vrarë nënën dhe vajzën. Yasuko ishte masakruar në kokë e kraharor sa i dukeshin kockat. Nëna e saj gjeti 4 trupat e pajetë mëngjesin e vigjiljes së Vitit të Ri. Duke mos mundur të telefononte të bijën, ajo shkoi të kontrollonte dhe u përball me një panoramë të përskuqur: dhëndri i mbuluar në gjak, ndërsa në katin e dytë e bija kishte mbuluar me trup mbesën, të dyja të vdekura.
Nipi, ndodhej në një shtrat marinari në dhomën përbri, ndryshe nga të tjerët, ai ishte mbytur. Yasuko ishte mësuese, Mikio punonte në një kompani marketingu britanike, Niina ishte në klasën e dytë dhe Rei në kopsht.
Akoma më e çuditshme ështtë sjellja e çuditshme e vrasësit të panjohur pasi masakroi 4 viktimat. Policia e Tokios beson se ai hyri në shtëpi rreth orës 11 të mbrëmjes dhe qëndroi atje deri në agim. Ai hëngri 4 tasa të vegjël me akullore dhe piu disa shishe me çaj elbi.
Më pas, përdori kompjuterin deri në orën 1:18 të mëngjesit dhe disa të dhëna tregojnë që edhe mund të ketë marrë një sy gjumë në divan. Gjithashtu ai rrëmoi nëpër shtëpi dhe zbrazi disa prej gjërave dhe dokumenteve të familjes në vaskën e banjës.
Sasia e provave fizike që vrasësi la pas është gjigande. Sipas policisë, u gjendën këto veshje: një kapele, një bluzë bejsbolli e larë në gjak nga të paktën një prej viktimave, e bardhë me mëngë lejla dhe vetëm 130 prej tyre janë shitur në Japoni. Një shall i lirë me kuadrata, një xhaketë, doreza të zeza, dy shami dore të zeza, njëra me vrimë në mes dhe e mbështjellë rreth thikës së kuzhinës, tjetra mund të jetë përdorur si maskë pasi në të u identifikua parfumi i përdorur nga vrasësi dhe një çantë mesi.
Sipas shenjave të këpucëve të gjetura në shtëpi, vrasësi kishte veshur atlete me numër 45, të prodhuara në Korenë e Jugut pasi në Japoni nuk ishin shitur ndonjëherë në madhësi të tillë.
Prova të tjera që i përkasin vrasësit janë feçet e gjetura në WC-në e pashkarkuar, shenjat e gishtave, gjaku dhe njollat e tij. U gjet gjithashtu një kuti e hapur e ndihmës së shpejtë dhe garza të lagura me gjakun e vrasësit që mendohet se ai i ka përdorur për të trajtuar plagët e tij.
Mendohet se vrasësi është 167 cm i gjatë, i dobët (sipas madhësisë së rripit në çantën e mesit), gjaku i përket grupit A, përdor dorën e djathtë dhe është mes moshës 15-35 vjeç.
Policia mendon se ai nuk është qytetar japonez sepse:
-ADN-ja tregon që prejardhja e tij nga i ati është aziatike, europiane nga e ëma dhe ka një shenjues në gjene më të zakonshëm te koreanët dhe kinezët se sa japonezët.
-Madhësia e këpucëve të markës që kishte veshur nuk shiten në Japoni.
-Hetuesit nuk kanë gjetur përputhje të shenjave të tij të gishtave në patentat e shoferëve japonezë, pasaporta apo dokumente të tjera qeveritare.
-Kokrrizat e rërës të gjetura në çantën e tij besohet se vijnë nga SHBA-ja jugperëndimore.
Një shpërblim prej 20 milionë Yen (150 mijë Dollarë), më i madhi në historinë japoneze, është ofruar për çdo informacion të besueshëm që do të sjellë arrestimin e të dyshuarit të panjohur. Hetimi i këtij rasti vazhdon, më shumë se 280.000 hetues kanë punuar me të duke ndjekur më shumë se 16.000 pista./tvklan.al