“RRITJE SHQETËSUESE TË SHPËRTHIMEVE TË VIRUSIT”
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të nisin përgatitjet për valën e re të pandemisë COVID-19, që mund të ndodhë në vjeshtë dhe dimër, tha shefja për shëndetësi e bllokut, duke theksuar se ka pasur “rritje shqetësuese” të shpërthimeve të virusit.
Komisionerja për Shëndetësi dhe Siguri Ushqimore e BE-së, Stella Kyriakides, duke paralajmëruar për një valë të re në vjeshtë, tha se pandemia nuk ka përfunduar duke njoftuar për rritje shqetësuese në disa vende.
“Në dy muajt e fundit, ne jemi duke u përgatitur për vjeshtën dhe dimrin, të vetëdijshëm plotësisht se vala e re e pandemisë nuk mund dhe nuk duhet të rëndojë edhe më shumë ekonomitë dhe shoqëritë tona, veçanërisht në kohën kur ato janë prekur nga pushtimi rus i Ukrainës dhe inflacioni”, deklaroi Stella Kyriakides-Komisionere e BE-së për Shëndetësi.
Kyriakides, i tha radios së Qipros se Komisioni Evropian u ka kërkuar shteteve anëtare që të përshpejtojnë vaksinimin me doza përforcuese të popullsisë mbi 60 vjeç dhe të grupeve të ndjeshme./KlanMacedonia/