Kuvendi votoi qeverinë teknike

XHAFERI: S`KA DALLIM 1 APO 100 DITË – SFIDËS I QASEM ME PËRGJEGJËSI TË PLOTË!

Maqedonia e Veriut, pas vitit 2016, bëhet me qeverinë e tretë teknike. Kryeministër është Talat Xhaferi. Ai premtoi se kjo qeveri nuk do të lejojë të cënohet procesi zgjedhor.

Me 65 vota “për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi votoi qeverinë teknike me mandat prej 100 ditëve që ka për detyrë t`i zbatojë zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe zgjedhjet parlamentare të 8 maj, në mënyrë të drejtë e demokratike me pjesëmarrje të Ministrave dhe Zv/Ministrave plotësues të opozitës në resore kyçe qeveritare.

Kryeministër është Talat Xhaferi, njëherit Kryeministri I parë Shqiptar në Maqedoni.

Talat Xhaferi dhe Ministrat, pas votimit vtë qeverisë dhanë deklarata solemne.

Duke e arsyetuar programin dhe përbërjen e Qeverisë, Talat Xhaferi premtoi se qeveria kalimtare do të jetë e përgjegjshme, transparente dhe nuk do të lejojë të cënohet procesi zgjedhor.

Duke iu drejtuar deputetëve në shqip dhe maqedonisht, Kryeministri Xhaferi theksoi se nuk do të ndryshohet politika tashmë e etabluar në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

“Për mua, si Mandatar i kësaj Qeverie, nuk ka dallim nëse është fjala për 1 apo 100 ditë, për Qeveri teknike apo kalimtare! Unë, këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme, e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale. Dëshiroj t’ju siguroj se në asnjë çast nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe institucion me kompetenca qartë të përkufizuara me Kushtetutë në raport me shtyllat tjera të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Talat Xhaferi.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së dolën nga salla e Kuvendit, nuk votuan dhe nuk e pranojnë Talat Xhaferin për Kryeministër.

Në foltoren e Kuvendit doli edhe lideri I BDI-së, Ali Ahmeti. Kritikave të deputetëve të opozitës maqedonase iu përgjigj se vendi tashë po shënon progress dhe është vendosur barazia.

“Nuk jenu ju qiraxhinj, e as kolegët nga mesi I sallës kuvendore janë qiraxhinj. Marrëveshja e Ohrit bëri që të gjithë të jemi të zotët në shtëpinë tonë”, tha Ali Ahmeti.

Krahas VMRO-DPMNE-së , Qeveria Teknike nuk mori mbështetje edhe nga opozita shqiptare, për shkak se përfaqësuesi I tyre ende nuk është zgjedhur në KSHZ. Për këtë shkak 6 deputetë të këtij koalicioni bojkotojnë punën e Kuvendit.

Në Qeverinë e Kryeministrit Xhaferi, opozitës I takojnë vendet ministrore në Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale si dhe Zv/Ministra plotësues në Ministrinë e Financave, për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe për Bujqësi.

Qeveria teknike që udhëhiqet nga Talat Xhaferi do të jetë e treta me radhë, pas asaj të Emil Dimitrievit në vitin 2016 dhe Oliver Spasovskit në 2020. Ky model qeverie u vendos për shkak të mosbesimit në procesin zgjedhor dhe pas shpërthimit të aferës me përgjimet masive dhe krizës politike në vend./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share